Lidhje

Kalifornia pas tërmeteve të fuqishme


Dy komunitete të largëta në shkretëtirën e Kalifornisë po vlerësojnë dëmet nga dy termete të mëdha që goditën këtë zonë javën e kaluar dhe që u pasuan nga mijëra pasgoditje më të vogla. Qytetet Ridgecrest dhe Trona u goditën nga tërmeti me magnitudë 7.1 që shkundi Shkretëtirën Mojave të premten. Një ditë më parë po ai rajon u godit nga një termet tjetër me magnitudë 6.4.

Zona, rreth 240 kilometra larg nga qyteti Los Angeles është në një proces rimëkëmbjeje pas dëmeve të tërmeteve që dëmtuan ndërtesa, shkaktuan zjarre dhe ndërprerje të energjisë për mijëra familje dhe biznese. Agelica Hernandez është banore e qytetit Trona në Kaliforni.

“U frikësova nga termetet por më shumë si nënë e dy fëmijëve. U futëm poshtë tavolinës duke qarë dhe bërtitur nga frika. Djali im gjashtë vjeçar duke më përqafuar më thoshte të jem e fortë dhe mos qaja. Edhe pse i vogël, ai më mbrojti”

Agjencia amerikane që merret me studimet gjeologjike tha të dielën se egziston një mundësi prej 1 përqind që një termet tjetër me magnitudë 7 ose më të madhe të godasë rajonin javën që vjen.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme për zonën e prekur duke paralajmëruar qeveritë lokale që të forcojnë masat e sigurisë dhe rregulloret për ndërtimet. Ai i ka llogaritur dëmet në më shumë se 100 milion dollarë ndërsa tha se

Presidenti Trump e kishte telefonuar atë dhe i kishte ofruar mbështetjen e qeverisë federale për rindërtimin e zonës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG