Lidhje

Përparim në bisedimet për Afganistanin


Dhjetëra qytetarë të spikatur afganë po takohen me përfaqësuesit e talebanëve në kryeqytetin e Katarit, Doha. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, sot është dita e dytë e konferencës që kërkon t’i japë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Ndërkohë, po në Doha, negociatorët amerikanë dhe ata talebanë po zhvillojnë raundin e shtatë të bisedimeve rreth përmbylljes së përfshirjes amerikane në luftën civile afgane.

Një delegacion me mbi 50 politikanë afganë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile nisën ditën e dytë të bisedimeve me talebanët. Një nga pjesëmarrësit i tha Zërit të Amerikës se ka shenja që disa prej qëndrimeve të talebanëve kanë ndryshuar.

“Ndjej se ka ndryshuar sjellja e tyre dhe se janë të gatshëm të flasin me gratë. Në darkën e mbrëmshme ishte hera e parë që u takova me përfaqësues të talebanëve. Disa prej të dërguarve të tyre erdhën të na flasin”, thotë Asila Wardak, anëtare e Këshillit Afgan të Paqes.

Përfaqësuesi i lartë taleban Mullah Abdul Salaam Zaeef i tha Zërit të Amerikës se nuk do të pranojnë ndonjë vendim të imponuar ndaj tyre, pavarësisht presionit politik dhe ushtarak.

“Komuniteti botëror, qeveria dhe aleatët e tyre, përdorën gjithçka mundën për t’i bërë presion Afganistanit, por vendi ka mbrojtësit e tij. Tani është momenti të respektojmë njëri-tjetrin, të respektojmë realitetin dhe të respektojmë të drejtat e njërit-tjetrit. Kështu do të gjejmë zgjidhjen”, thotë përfaqësuesi taleban Mullah Abdul Salam Zaeef.

Talebanët kanë refuzuar deri më tani të gjitha format e bisedimeve me qeverinë afgane duke e quajtur atë “një kukull të Amerikës”. Ata thonë se delegatët e qeverisë në bisedimet e tanishme gjenden aty vetëm si individë privatë.

Negociatorët amerikanë dhe talebanë filluan një raund të shtatë bisedimesh në Doha më 29 qershor. Por, Uashingtoni e ka bërë të qartë se talebanët duhet të flasin me qeverinë në Kabul për të vulosur një marrëveshje përfundimtare për paqen.

“Kemi bërë progres, por nuk kemi ende marrëveshje finale”, tha i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad.

Bisedimet dypalëshe rifillojnë nesër, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Gjermanisë.

Përpjekjet e shumta të viteve dhe muajve të fundit, në veçanti bisedimet mes SHBA-së dhe talebanëve, kanë krijuar një mundësi historike. Por, megjithë rëndësinë që kanë këto bisedime, ato nuk mjaftojnë. Dialogu duhet të shndërrohet në një proces domethënës negocimi”, thotë Markus Potzel, përfaqësuesi special i Gjermanisë për Afganistanin dhe Pakistanin.

Ndërsa grupet rivale diskutojnë mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit 18-vjeçar, një sulm taleban në qytetin afgan Ghazni, vrau të paktën 14 persona dhe plagosi mbi 180 të tjerë, të paktën një e treta e tyre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG