Lidhje

Donacionet e komunitetit në Harrisonburg të Virxhinias


Një organizatë bamirëse në një qytet të vogël amerikan, donte të ushqente njerëz të uritur, të pastrehë dhe të mbështeste artet që ushqejnë shpirtrat e uritur të njerëzve. Për të përmbushur këto nevoja dhe të tjera, Fondacioni i Komunitetit në Harrisonburg të Virxhinias, vendosi një qëllim ambicioz - grumbullimin e mbi 300,000 dollarë fondeve dhe krijoi një fushatë on-line për të nxitur donacionet.

Harrisonburgu në Virxhinia, ka një popullësi prej 53,078 banorësh.

Një vend i vogël me zemër të madhe.

536,300 dollarë në një ditë - kjo është shuma e fondeve të grumbulluara nga organizata Fondacioni i Harrisonburgut në mbrëmjen e dytë vjetore të komunitetit.

Fondet u grumbulluan tërësisht në internet. Donatorët kishin mundësi të dhuronin fonde pa asnjë kufi kohore.

Zyrtarja e programit, Amanda Bomfim dhe anëtarët e tjerë të stafit monitoruan me kujdes donacionet:

" Në fillim isha shumë nervoze. Qëllimi ynë fillestar ishte 333.000 dollarë kështu që, siç e dini është një shumë e madhe fondesh dhe isha e shqetësuar, sepse doja që kjo të realizohej dhe që të gjitha organizatat jofitimprurëse të përfitojnë nga komuniteti".

Drejtoresha ekzekutive e fondacionit, Revlan Hill thotë se fqinjët e saj e mbështetën këtë mision.

“Të gjithë duan të bëjnë mirë. Në se ke një fqinj të sëmurë, i çon një ushqim. Në se dikush kërkon ndihmë, mundohesh ta ndihmosh. Ky organizim është një mënyrë për të gjithë ne në komunitet të ndihmojmë për të bërë diçka të mirë së bashku”.

Tetëdhjetë e nëntë organizata jofitimprurëse vendase u regjistruan për ndihmë financiare. Këshilli i Arteve i Luginës, një organizatë jo-fitimprurëse e dedikuar për provimin e artit, mori 27,240 dollarë donacione.

“Ky komunitet mbështet artin dhe vlerëson se artet janë me të vërtetë jetike për një qytet, për një komunitet, sepse ato shtojnë cilësinë e jetës. Njerëzit këtu e kuptojnë se arti shton cilësinë e jetës së tyre", thotë Jenny Burden, drejtoreshë ekzekutive për Këshillin e Arteve të Luginës.

Një tjetër organizatë jofitimprurëse e quajtur “Vendi ynë në Komunitet” mori donacione orej 31.600 dollarësh. Ata ofrojnë ushqim falas për të pastrehët, si dhe ushqejnë dhe i këshillojnë ata kur kërkojnë punë.“Kushdo është i mirëpritur këtu. Ne përpiqemi t’u shërbejmë njerëzve që janë të pastrehë, ose që përballen me vështirësi.

Pra, ne përpiqemi të ofrojmë shërbimet tona që janë të vlefshme për ta, si ushqimi falas, shërbime sanitare... Por kemi shumë njerëz që vijnë këtu për të kaluar kohën, pasi u pëlqen shoqëria që gjejnë këtu”, - thotë Randi Hagi, i organizatës “Vendi ynë në Komunitet”.

Fondacioni i Komunitetit është një shembull i mirë i asaj që mund të arrijnë njerëzit së bashku për të ndihmuar fqinjët e tyre dhe se sa të vlefshme janë edhe donacionet e vogla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG