Lidhje

Nismë për komision parlamentar për mashtrime në listat e veteranëve


Propozim për komision hetimor për mashtrime me listat e veteranëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dorëzoi një kërkesë për themelimin e një Komisioni hetimor parlamentar lidhur me mashtrimet me listat e veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në arsyetimin e kërkesës së zotit Veseli thuhet se “si rezultat i mashtrimit me lista të veteranëve rrezikohet që Kosova të dëmtohet me dhjetëra milionë euro nga ky proces”,ndërsa fillimi i hetimeve nga ana e prokurorisë dhe deklarata e komandantëve për mashtrime në këtë proces, e detyrojnë parlamentin të marr një hap të tillë për krijimin e komisionit.

Propozim për komision hetimor për mashtrime me listat e veteranëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Zoti Veseli tha të premten pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit se Ushtria Çlirimtare është e shenjtë dhe nuk duhet lejuar keqpërdorimet në emër të saj.

“Kjo iniciativë ka të bëj që t’i ndal zërat dhe për t’i ndalur manipuluesit të cilët janë duke u munduar që të abuzojnë me emrin tuaj ashtu edhe sikurse edhe në emrin tim,” tha ai.

Organizatat që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë thonë se një nismë e tillë është e vonuar dhe se tashmë paarqet ndërhyrje në punën e drejtësisë.

Drejtoresha e Grupit për studime juridike dhe politike, Arbresha Loxha thotë për Zërin e Amerikës se rasti i njohur si “veteranët” është duke u gjykuar dhe institucionet e drejtësisë duhet lënë të bëjnë punën e tyre.

“Në anën tjetër ne konsiderojmë që institucionet e drejtësisë nuk duhet të presin sinjale nga politika për të proceduar për zbardhjen e rasteve të tilla dhe në anën tjetër institucionet tona si në këtë rast, të mos i përdorin rastet e tilla për objektiva politike apo qërim hesapesh mes anëtarëve të koalicionit. Krijimi i një komisioni të tillë konsiderojmë që vetëm do ta zvarriste zbardhjen e këtij rasti dhe fare pak do t’i kontribuonte procesit”,tha ajo.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se krijimi i një komisioni të tillë paraqet një ndërhyrje të re ndaj gjykimit të rastit të veteranëve dhe krijon paralelizëm në shqyrtimin e këtij rasti.

“Në fazën në të cilën jemi ndoshta kjo më shumë mund të shihet si tendecë e aktorëve brenda koalicionit që këtë rast ta përdorin për qëllime të tyre të politikës ditore se sa që të kontribuojnë në këtë proces. Është totalisht e pakuptimtë dhe është ndërhyrje në drejtësi formimi i një komisioni të tillë për derisa në Gjykatën Themelore të Prishtinës është duke u zhvilluar një rast penal me rastin e veteranëve,” tha ai.

Në shtator të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër 12 personave nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas akuzës "nga provat është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumën prej 68 milionë eurosh".

Njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se në rastin e njohur si “veteranët” bëhet fjalë për kryerje të veprave penale dhe sipas ligjeve, hetimi i takon Prokurorisë së Shtetit. Ata thonë se ky rast është përballur vazhdimisht me trysni të ndryshme dhe se kjo lëndë duhet të zgjidhet nga sistemi i drejtësisë.

“Në këtë rast, sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial duhet të tregojnë vullnet të madh dhe që të mos bien preh e politikave ditore në shqyrtimin e këtij rasti dhe të nejjtit ta përfundojnë me profesionalizëm dhe pavarësi të plotë funksionale”,tha zoti Shala.

“Janë dy nisma paralele dhe puna e institucioneve të drejtësisë nuk ndikohet fare prej punës që mund të bëjnë deputetët dhe një komision hetimor. Në qoftë se do të bëhej një punë e tillë konsideroj që do të duhej të bëhej në fillim kur është hapur hetimi për një rast të tillë ose kur ka dalur në media si çështje ndërsa tash mendoj që institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre kjo është përparësi dhe natyrisht të zbardhet sa më shpejt si rast”,tha zonja Hoxha.

Hetimi i keqpërdorimeve me listat e veteranëve vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme dhe një ndër raste më të mëdha në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG