Në Shqipëri Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi sot listën e 15 prokurorëve të cilët janë kandidatët e parë për të qenë anëtarë të Prokurorisë speciale antikorrupsion e njohur ndryshe si SPAK
Pas një procesi që zgjati më shumë se 6 muaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë renditi prokurorët, përmes një sistemi pikëzimi, sipas vlerësimit të aftësive profesionale dhe kontributit të tyre në sistemin e Drejtësisë.
Nga 15 kandidatët e përzgjedhur, vetëm një prej tyre Arben Kraja, ka kaluar me sukses të dy shkallë e procesit të rivlerësimit, një tjetër është në pritje të Kolegjit të Apelimit, ndërsa gjashtë të tjerë kanë kaluar me sukses fazën e parë. Mbetet të shihet nëse ndaj tyre do të ketë ose jo ankim nga Komisioneri publik. Shtatë kandidatë të tjerë të listës janë në pritje të përmbylljes së fazës së parë të rivlerësimit.
Mes emrave që mbetën jashtë, bie në sy drejtuesja aktuale e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, dhe pararendësi i saj Besnik Hajdarmataj, si dhe prokurorët Dritan Prenci dhe Vladimir Mara, të cilët ndërkohë, kanë kaluar procesin e rivlerësimit.
Pas aktit të sotëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të presë përmbylljen e procesit të rivlerësimit në mënyrë që të mund të kalojë në fazën e ngritjes së Prokurorisë së Posaçme, njësia e cila do të ketë në fokus korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Facebook Forum