Lidhje

Kancelarja Merkel mbi komentet e Presidentit Trump


Kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi të premten komentet e Presidentit të SHBA, Donald Trump lidhur me ligjvënëset demokrate me ngjyrë, duke thënë se këto komente bien ndesh me atë që ajo e konsideron "forca e Amerikës". Në një konferencë shtypi në Berlin, përpara fillimit të pushimeve verore, zonja Merkel komentoi edhe për çështje të tjera.

Kancelarja u pyet në konferencën e saj vjetore të verës nëse ende sheh një bazë vlerash të përbashkëta me Presidentin Trump pas komenteve të tij se katër gratë ligjvënëse duhet "të kthehen" në vendet e tyre nëse nuk e duan Amerikën. Tre prej tyre kanë lindur në Amerikë dhe të katërta janë shtetase amerikane.

"Njerëzit me kombësi shumë të ndryshme kanë kontribuar në forcën e popullit amerikan, kështu që këto janë komente që bien ndesh me këtë përshtypje të fortë që kam. Është diçka që bie ndesh me forcën e Amerikës", tha zonja Merkel.

Ajo tha se distancohet nga komentet dhe “ndien solidaritet me tre gratë që u sulmuan".

Lidhur me çështjen Brexit, Kancelarja Merkel tha se beson që Britania do t’a "gjejë rrugën e saj" nën një kryeministër të ri, por nuk u shpreh nëse mbështet një shtyrje të mëtejshme për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian ose një referendum të ri.

“Është një komb krenar dhe i madh dhe do të mbetet partneri ynë edhe nëse Britania nuk është më anëtare e Bashkimit Evropian", tha ajo.

Për Iranin, zonja Merkel vlerësoi përpjekjet e Presidentit francez Emmanuel Macron për të lehtësuar bisedimet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se përpjekjet diplomatike janë me rëndësi kritike.

Ajo tha se "duhet të kërkohet çdo mundësi për kontakt për të parandaluar një shkallëzim të gjendjes".

Në konferencën e shtypit, zonja Merkel theksoi se gëzon shëndet të mirë dhe është plotësisht në gjendje të kryejë detyrat e kancelares.

“Kam një interes të madh personal në shëndetin tim, sepse viti 2021 është fundi i punës sime politike. Pas kësaj shpresoj se do të ketë një jetë tjetër për mua dhe do të dëshiroja ta jetoja atë në shëndet të plotë,” tha kancelarja.

Ajo tha se i njeh përgjegjësitë e saj për të kryer detyrat si kryetare e qeverisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG