Lidhje

Ligjvënësja Ilhan Omar: "E neveritur" me sulmet ndaj meje


Ligjvënësja amerikane nga Minesota, Ilhan Omar, e cila ka qenë objekt i disa prej sulmeve më të ashpra të Presidentit Donald Trump, u bëri thirrje mbështetësve të përballen me racizmin dhe akuzat e rreme si dhe të përqëndrohen tek mposhtja e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Zonja Omar foli përpara aktivistëve demokratë myslimanë të martën ndërsa presidenti vazhdoi sulmet e tij kundër asaj dhe tre ligjvënëseve të tjera demokrate me ngjyrë. Ai i akuzon ato për kritika jopatriotike ndaj Shteteve të Bashkuara. Materiali u përgatit nga korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden.

Gjatë një takimi të aktivistëve myslimanë amerikanë në Uashington, ligjvënësja Ilhan Omar u zotua se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e myslimanëve në Amerikë.

"Nëse nuk përballemi plotësisht dhe nuk i shtyjmë njerëzit, do të ngecim në vend për një ose dy breza", tha ajo.

Demokratja e Minesotës së bashku me koleget ligjvënëse Rashida Tlaib, që gjithashtu i përket komunitetit mysliman të Amerikës, Aleksandria Ocasio-Cortez dhe Ayanna Pressley nga shteti Masaçusets, janë akuzuar nga Presidenti Trump për ato që ai i quan komente jopatriotike.

Në një postim në twitter ai shkoi më tej duke sugjerur që ato të kthehen në vendet nga kanë ardhur.

Zonja Omar, një refugjate nga Somalia, është e vetmja nga ligjvënëset që nuk ka lindur në SHBA dhe ka qenë objekt i kritikave më të ashpra nga ana e presidentit Trump. Në tubimin e fundit, presidenti e akuzoi atë për fajësimin e SHBA-së për sulmet e 11 shtatorit 2001, nisur nga një koment i saj ku i referohej terroristëve myslimanë të përfshirë në këto sulme, si "disa njerëz që bënë diçka". Turma e njerëzve iu përgjigj presidentit me thirrjen "kthejeni mbrapsht".

Në muajin shkurt zonja Omar nxiti gjithashtu polemika kur në një postim në twitter shkruante se donatorët e pasur amerikano-hebrej kanë shumë ndikim mbi politikën amerikane ndaj Izraelit. Më vonë ajo kërkoi falje pasi u kritikua si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

Të hënën në Shtëpinë e Bardhë gjatë një takimi me udhëheqësin e Pakistanit, zoti Trump i kritikoi sërisht katër ligjvënëset.

"Mendoj se ata janë një gjë shumë e keqe për vendin tonë. Ato e urrejnë vendin tonë". tha ai.

Në Minesota, zonja Omar u prit me entuziazëm nga turma e njerëzve, pas sulmeve të presidentit Trump.

Ndër mbështetësit e saj ishte edhe Khizr Khan, babai i një ushtari amerikan të vrarë në Irak, pakistanezo-amerikan, i cili në Konventën Demokrate të 2016-s kritikoi retorikën anti-myslimane të zotit Trump.

"Bota dhe ky komb presin nga ju që të udhëhiqni. Ju jeni zgjedhur. Koha ju ka zgjedhur”, tha Khizr Khan.

Ilhan Omar thotë se ajo ndihet e revoltuar se nisur nga fakti që është myslimane shumë supozojnë se ajo ka simpati për terrotistët dhe ekstremistët islamikë.

"Si ligjvënës myslimanë, vazhdimisht na kërkohet të humbim kohën duke folur për çështje për të cilat njerëzit e tjerë nuk pyeten" tha ligjvënësja Ilhan Omar.

Analistët thonë se pjesa më e madhe e kritikave të presidentit ndaj ligjvënëseve janë të pavërteta e çorientuese si dhe kanë për qëllim të nxisin përkrahësit e tij, amerikanët e bardhë, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2020-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG