Lidhje

Thaçi: nga java e ardhshme do takohet me udhëheqësit e partive politike


Në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi pret të takojë nga java e ardhshme udhëheqësit e partive politike për të diskutuar siç thuhet, për hapat e nevojshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi të zyrës së presidentit të Kosovës, në të cilën thuhet se çdo veprim do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në njoftim thuhet se “bazuar në kompetencat kushtetuese, presidenti i Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë Presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”, - thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit të Kosovës.

Kjo i jep fund pritjeve të partive politike, të cilat kanë bërë thirrje të vazhdueshme për këshillime me presidentin e vendit, në mënyrë që të diskutohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.

Javën e kaluar, kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i tij, pasi u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme në Hagë.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.

Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG