Lidhje

Përplasje mes Presidentit Trump dhe ligjvënësit demokrat Cummings


Në një seri postimesh në Twitter gjatë fundjavës, Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi njërin prej kritikëve të tij më të ashpër demokratë, ligjvënësin Elijah Cummings, duke e quajtur distriktin e ligjvënëst nga Merilendi "një rrëmujë të pështirë, të mbushur me minj dhe brejtës". Komentet e Presidentit nxitën reagime nga kritikët, të cilët i quajtën raciste dhe të papranueshme komentet e Presidentit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Cherneff sjell hollësitë.

Presidenti Trump ripërtëriti sulmet ndaj ligjvënësit demokrat Elijah Cummings, një nga kritikët më të ashpër të presidentit në Kongres.

Në Twitter, Presidenti Trump e akuzoi ligjvënësin e Merilendit për bulizëm, duke thënë se "nëse ai do të shpenzonte më shumë kohë në Baltimor, do të mund të ndihmonte në pastrimin e kësaj zone shumë të rrezikshme dhe të ndotur".

Komentet e Presidentit Trump nxitën reagime të menjëhershme në Uashington dhe në vend.

"Është krejtësisht e papranueshme që presidenti të sulmojë një qytet të rigjallëruar amerikan", tha kryetari i bashkisë së Baltimorës, Bernard Young.

"Unë nuk do ta bëja këtë, nuk do të shprehesha në këtë mënyrë në Twitter", thotë ligjvënësi Will Hurd nga Teksasi.

"Presidenti, si zakonisht ose shpesh është i neveritshëm dhe racist", tha ligjvënësi demokrat Jerry Nadler nga Nju Jorku, në një intervistë për kanalin televiziv ABC.

Elijah Cummings, një ligjvënës demokrat në mandatin e 13 në kongres, ka kritikuar ashpër trajtimin që Administrata e Presidentit Trump po u bën emigrantëve në qendrat e ndalimit përgjatë kufirit amerikan me Meksikën.

"Asnjeri prej nesh nuk do të pranonte një gjendje të tillë për fëmijët tanë. Ata janë qenie njerëzore!"

Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve votoi në linja partiake për të dënuar komentet e Presidentit për katër ligjvënëse të pakicave, ku ngriti pikëpyejte mbi patriotizmin e tyre dhe sugjeroi se ato mund të ktheheshin në "vendet e tyre të infektuara nga krimi". Të gjitha ligjvënëset janë shtetase amerikane dhe vetëm njëra prej tyre ka lindur jashtë Shteteve të Bashkaura.

Presidenti Trump nuk është tërhequr nga komentet e tij të fundit në Twitter dhe të dielën kritikoi demokratët, duke i akuzuar ata për shfrytëzim politik të çështjes së racës.

Këto debate po ndodhin në një kohë kur është nxehur klima politike përpara zgjedhjeve të vitit 2020, mes Presidentit Trump dhe kundërshtarëve të tij demokratë, të cilët po përpiqen të fitojnë mbështetjen e publikut amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG