Lidhje

Grupet e të drejtave të njeriut dënojnë dhunën e policisë ruse kundër protestuesve


Grupe të drejtave të njeriut kanë dënuar përdorimin e tepruar të forcës nga policia të shtunën ndaj protestuesve që kërkonin zgjedhje të lira në Moskë. Organizata Human Rights Watch publikoi një dekleratë të hënën ku thuhej se autoritetet ruse e përdorin shtypjen për t’u përballur me kundërshtarët dhe ruajtur kontrollin. Rreth 1,400 protestues janë arrestuar në kryeqytetin rus për demostratën kundër eleminimit të kandidatëve të opozitës nga zgjedhjet e ardhëshme për asamblenë e qytetit. Ekziston droja se një nga organizatorët e njohur të protestave, Alexey Navalny, është helmuar ndërsa ndodhej në qelitë e paraburgimit.

Protesta e së shtunës ishte një nga disa protesta të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit në Moskë pasi zyrtarët e zgjedhjeve eleminuan nga votimet rreth 30 kandidatë të pavarur. Disa mijëra protestues u mblodhën para bashkisë, pavarësisht refuzimit të tubimit nga autoritetet. Dëshmitarët thonë se policia përdori forcë brutale kundër protestuesve, duke i rrahur, rrëzuar përtokë dhe tërhequr zvarrë.

Human Rights Watch thotë se 1,373 njerëz janë arrestuar, përfshi Ilya Yashin, një nga kandidatët e opozitës i cili ishte përjashtuar nga votimi. Zoti Yashin u dënua u dënua me 10 ditë burg të hënën, thotë avokati i tij Vadim Prokhorov.

“Kuptohet që është vendim politik i marrë për të skualifikuar Yashinin nga zgjedhjet dhe për ta izoluar atë për disa javë. Jam i sigurtë që nuk do të ketë efekt. Protestuesit do të dalin në rrugë pavarësisht kësaj.”

Një nga organizatorët kryesorë të protestave, Alexei Navalny, u arrestua para protestës së të shtunën dhe u burgos për 30 ditë. Por kjo nuk ka penguar tubimet e opozitës. Ndërkohë, zoti Navalny u sëmur në mënyrë misterioze në qeli dhe u desh të shtrohej në spital. Anastasia Vasilyeva është mjekja që vizitoi zotin Navalny.

“U thashë mjekëve të spitalit se ai duhej të mbahej nën vëzhgim mjekësor edhe për tre ditë të tjera deri sa të dalin analizat kryesore dhe hulumtimet e tjera. Fatkeqësisht, me një urdhër nga sipër ai u dërgua në burg nga policia.”

Mjekët që trajtuan zotin Navalny në spital thanë se ai kishte pësuar një reagim alergjik. Por avokatja e tij, Olga Mikhailova, thotë se situata është më serioze.

“Ai u injektua me sasi të mëdha steroidesh. E enjtura pothuajse është zhdukur, por ajo që nuk dimë është se çfarë do të pasojë dhe si do të reagojë trupi i tij. Në të vërtetë ai u helmua nga një agjent kimik i paidentifikuar. Ende nuk është përcaktuar se çfarë ishte dhe ku u gjend.”

Rasti Navalny të kujton helmimet e kundërshtarëve të njohur rusë, veçanërisht vdekjen në vitin 2006 të ish agjentit rus Alexander Litvinenko në Londër. Në vitin 2015, udhëheqës i njohur i opozitës, Boris Nemtsov, u vra në një urë pranë Kremlinit në Moskë.

Human Rights Watch thotë se reagimi i qeverisë me dorë të fortë është një paralajmërim për rusët se ata që protestojnë, pa marrë parasyshë nëse e bëjnë paqësisht, për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta do të përballen me pasoja të rënda.

Organizatat Human Rights Watch edhe Amnesty International u kanë kërkuar autoriteteve ruse që të lirojë protestuesit paqësorë dhe të rrëzojnë të gjitha akuzat ndaj tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG