Presidenti amerikan Donald Trump po i shkallëzon sulmet me ngarkesë raciste, duke e cilësuar "mashtrues" një aktivist të njohur të të drejtave civile, që vjen nga komuniteti afrikano-amerikan. Para kësaj, në fundjavë, zoti Trump kritikoi një ligjvënës afrikano-amerikan. Në një postim në twitter ai shkruante se distrikti i ligjvënësit, duke iu referuar qytetit të Baltimorës në shtetin Marilend, është "një rrëmujë e neveritshme, e infektuar me minj e brejtës të tjerë”. Sulmet e presidentit u dënuan gjerësisht nga demokratët, duke u cilësuar si raciste. Por përkrahësit e tij e shohin si një veprim të drejtë nxjerrjen në pah të paragjykimeve dhe problemeve të kundërshtarit.
Të hënën, Al Sharpton iu përgjigj postimeve në twitter të Presidentit Trump, në të cilat ai e quante aktivistin e të drejtave civile "mashtrues" e "ngatërrestar” që "urren të bardhët" dhe policinë.
“Ai mund të thotë ç’të dojë. Më thotë ngatërrestar. Po! Unë u shkaktoj teshale fanatikëve”, tha Al Sharpton, aktivist për të drejtat civile.
Presidenti sulmoi zotin Sharpton për shkak të mbështetjes që ai i dha ligjvënësit demokrat Elijah Cummings. Gjatë fundjavës, presidenti e quajti distriktin e zotit Cummings, atë të Baltimorës, me banorë kryesisht nga komuniteti afrikano-amerikan "një rrëmujë të neveritshme, të infektuar nga minj e brejtës".
Demokratët e dënuan në masë Presidentin Trump lidhur me ato që i cilësuan sulme raciste, ku përfshihet edhe thirrja drejtuar katër ligjvënëseve me ngjyrë të Kongresit që të kthehen, siç thotë zoti Trump në "vendet e infektuara nga krimi, nga të cilat kanë ardhur".
“Ai thyhet lehtë dhe nuk është pjekur ende. Por ai ka një ndenjë përçmimi për afriakano-amerikanët dhe njerëzit me ngjyrë. Ai nuk i drejtohet asnjërit prej kundërshtarëve apo kritikëve të tij të tjerë, duke u thënë të infektuar, nuk i sulmon distriktet e tyre", thotë Al Sharpton, aktivist për të drejtat civile.
Të dielën një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Trump po mbron veten ndaj sulmeve politike të kundërshtarëve të tij.
"Nëse në distriktin tim do të kishte varfëri sikurse në Baltimore, do të isha pushuar nga puna. Mendoj se presidenti ka të drejtë që e ngre këtë çështje dhe kjo nuk ka absolutisht lidhje me garën (presidenciale)”, tha Mick Mulvaney, shefi i kabinetit në detyrë, në Shtëpinë së Bardhë.
Zoti Cummings, i cili drejton komisionin për Mbikqyrjen në Dhomën e Përfaqësuesve po heton Shtëpinë e Bardhë për shkelje të mundshme ligjore. Ai ka denoncuar gjithashtu kushtet e rrezikshme që ekzistojnë në institucionet ku mbahen të ndaluar emigrantët e paligjshëm.
Michael Steele, një ish-kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan, i dënoi komentet e presidentit Trump dhe i kërkoi atij të luajë një rol konstruktiv në përmirësimin e kushteve në zonat e varfëra urbane, sikurse Baltimora.
"Zoti President duhet të zbresësh në rrugë, njerëzit janë gati dhe duan të flasin me ju. Duhet vetëm të shfaqesh. Lëri postimet në twitter dhe duku”, tha Michael Steele, ish-kryetari i RNC-së.
Komentet raciste të presidentit Trump shihen nga shumë vetë si një strategji e llogaritur, por e rrezikshme për rizgjedhje, me qëllimin për të siguruar mbështetjen e votuesve të bardhë që i takojnë shtresës së punëtorëve, të cilët e ndihmuan atë që të fitojë garën presidenciale në vitin 2016.
Facebook Forum