Lidhje

Negociatat me BE-në: Meta e Rama qëndrime të kundërta


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama u përlasën sot në distancë lidhur me çështjen e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian. Për kreun e Shtetit vetëm mbajtja e zgjedhjeve vendore në datën e catuar prej tij më 13 tetor do t’I hapte rrugë këtij procesi. Ndërkohë që për kryeministrin Edi Rama, vendimarrja e shteteve anëtarë në vjeshtë është thjesht politike dhe nuk lidhet sipas tij me vlerësimet teknike për ecurinë e vendit

Duke folur për një situatë krize të thellë të gjithanshme institucionale, demokratike në vend dhe duke mos njohur si të ligjshme zgjedhjet vendore të 30 qershorit, presidenti Ilir Meta paralajmëroi sërish se sipas tij Shqipëria do të humbasë mundësinë për çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Si Bashkimi Europian ashtu dhe Shtetet e Bashkuara njohën si datë të zgjedhjeve 30 Qershorin, ndonëse zoti Meta dekretoi 13 Tetorin si datë të mbajtjes së tyre. Por ai sot sërish këmbënguli se “pa zgjedhje vendore, të paktën minimum, gjithëpërfshirëse, të standarteve më të besueshme demokratike, në 13 Tetor, mos prisni asnjë mrekulli të bjerë nga qielli në 18 Tetor dhe të gdhiheni më 19 Tetor me çelje negociatash. Prandaj kam apeluar për një kohë të gjatë për dialogun politik real, të sinqertë, bashkëpunues mes dy palëve, për këtë çështje madhore të qytetarëve shqiptarë”

Përplasje Meta-Rama mbi çështjen e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Por për kryeministrin Edi Rama e vërteta është tjetër. Në një konferencë të gjatë për shtyp ai u shpreh sot se sipas tij vendimarrja e 18 Tetorit nuk do të jetë e lidhur me Shqipërinë dhe as me Maedoninë e Veriut, por me problemet dhe situatën që po kalon vetëm Bashkimi Europian: Është politikë, nuk ka lidhje me asnjë objektivitet dhe me asnjë vlerësim objektiv teknik. Është politikë puro. Secili bën politikën e vet. Bashkimi Europian nuk është në ditët e veta më të lumtura dhe nuk është në momentet e veta më të qarta, kështu që gjithçka mund të ndodhë në tetor. Unë nuk përjashtoj asnjë version”.

Sa i takon situatës politik, dhe një dialogu me forcat kryesore të opozitës, kryeministri ishte i prerë ndërsa tha se nuk do të shpenzonte më kohë me këtë çështje: “Jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtë parlamentare, por nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë dhe nuk jemi të gatshëm e unë nuk jam i gatshëm që të harxhoj kohën time e të njerëzve me këtë muhabet çdo ditë”.

Opozita nuk hyri në zgjedhjet e 30 Qershorit dhe deklaron se nuk i njeh ato, ndërsa këmbëngul në kërkesën e saj të kahershme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, qoftë dhe së bashku me ato vendore, por pa zotin Rama në postin e kryeministrit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG