Lidhje

OKB, raport mbi vrasjen e civilëve në Afganistan


Kombet e Bashkuara thonë se në gjysmën e parë të 2019s, më shumë civilë afganë u vranë nga qeveria dhe trupat e udhëhequra nga NATO-ja sesa nga Talibanët dhe grupet e tjera kryengritëse.

Misioni i OKB-së në Afganistan publikoi një raport që tregon se 717 civilë u vranë gjithsej nga qeveria dhe forcat ndërkombëtare - një rritje prej 31 për qind nga e njëjta periudhë e vitit 2018, gjatë të cilës pati vetëm 531 të vrarë nga Talibanët dhe grupet e tjera radikale islamike.

Shumica e vdekjeve kanë ndodhur gjatë sulmeve ajrore dhe tokësore afgane e të NATO-s kundër kryengritësve.

Raporti thotë se gjithsej 2.446 civilë afganë u plagosën nga trupat pro-qeveritare dhe kryengritëse.

"Palët në konflikt mund të japin shpjegime të ndryshme për prirjet e fundit, për të justifikuar taktikat e tyre ushtarake", tha Richard Bennett, shefi i çështjeve të të drejtave të njeriut në Misionin e OKB-së në Afganistan. Ai tha se të dyja palët mund ta përmirësojnë situatën "jo thjesht duke respektuar ligjin humanitar ndërkombëtar por edhe duke ulur intensitetin e luftimeve”.

Shtetet e Bashkuara po negociojnë me Talibanët për një marrëveshje paqeje për t'i dhënë fund luftës 18-vjeçare, të nisur nga SHBA kundër Talibanëve që kishin pushtetin në atë kohë në Afganistan, në përgjigje të sulmeve terroriste të al-Kaidës në Uashington dhe Nju Jork më 11 shtator 2001.

Talebanët duan tërheqjen e plotë të të gjitha forcave amerikane dhe të huaja nga Afganistani, ndërsa SHBA kërkon një numër garancish sigurie, duke përfshirë një premtim që Afganistani nuk do të përdoret më si bazë për të filluar sulme terroriste kundër Amerikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG