Lidhje

Burimet spitalore: Navalny nuk është helmuar


Kreu i një qendre mjekësore ruse thotë se analizat laboratorike të kampionëve të paspecifikuar biologjikë të marra nga politikani i opozitës Aleksei Navalny përjashtojnë mundësinë që arsye e shtrimit të tij në spital ishte helmimi.

Aleksei Tokarev, mjeku kryesor i Qendrës Mjekësore Sklifosovsky në Moskë, tha të mërkuren se kampionët e marrë nga Navalny ishin dorëzuar në laboratorin e qendrës më 29 korrik dhe se rezultatet tregojnë se "nuk kishte shenja të substancave që mund të shkaktojnë helmim".

Kritiku i Kremlinit, i cili aktualisht po vuan dënimin me 30 ditë burg për organizimin e një proteste fundjavën e kaluar, ku gati 1.400 persona u arrestuan nga policia, u dërgua në spital më 28 korrik me ënjtje dhe skuqje në fytyrë, duke ngjallur frikën se ai kishte qenë viktimë e një përpjekje për helmim, megjithëse zyrtarët e spitalit e karakterizuan gjendjen e tij si "një reagim të përgjithshëm alergjik".

Navalny, një ditë më vonë doli nga spitali dhe u dërgua në burg dhe tha se ai kishte të njëjtin dyshim si avokati dhe mjekja e tij personale se ai mund të jetë helmuar në burg.

Dr. Anastasia Vasilyeva tha se ajo ka marrë mostrat e flokëve dhe rrobave të zotit Navalny për analiza të pavarura, si dhe ka bërë thirrje për ndonjë video nga kamerat e brendshme në burgun ku po mbahej 43-vjeçari.

Më 27 korrik u zhvilluan protesta kundër zyrtarëve zgjedhorë në Moskë, të cilët refuzuan të regjistronin kandidatë të pavarur për pjesëmarrje në zgjedhjet për këshillin bashkiak të qytetit, që do të mbahen me 8 shtator.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanada, dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë dënuar atë që ata e quajtën përdorim "joproporcional" dhe "pa dallim" të forcës kundër protestuesve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG