Lidhje

Teherani reagon ndaj sanksioneve të SHBA kundër ministrit


Presidenti iranian Hassan Rouhani e cilësoi "foshnjarak", vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i vendosur sanksione ministrit të Jashtëm të vendit të tij.

Në një fjalim televiziv të enjten zoti Rouhani tha se Shtetet e Bashkuara në një kohë që pretendojnë se duan të negociojnë me Iranin pa parakushte "i vendosin sanksione ministrit të jashtëm".

"Një qeveri, e cila beson se është një superfuqi botërore, i frikësohet një interviste të ministrit tonë të jashtëm. Është plotësisht e qartë se të gjitha shtyllat e Shtëpisë së Bardhë kanë nisur të lëkunden për shkak të fjalëve dhe arsyetimit të një diplomati të ditur e të sakrificës", tha ai.

Në urdhrin ekzekutiv, ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif akuzohet se vepron ose duket se vepron në emër të udhëheqësit suprem të vendit të tij, Ayatollah Ali Khamenei, i cili së fundmi është futur në listën e personave të Departamentit të Thesarit, ndaj të cilëve rëndojnë sanksione.

Në një deklaratë sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se vendimi është "një hap tjetër drejt mohimit të burimeve regjimit iranian falë të cilave kanë kryer akte terrori e kanë shtypur popullin iranian".

Zakonisht masa të kësaj natyre e ndalojnë një person të caktuar të vizitojë ose të kalojë trazit në Shtetet e Bashkuara.

Në një reagim, ministri i Jashtëm iranian tha se veprimi i SHBA-së nuk do të ketë efekt mbi të apo familjen e tij pasi ata nuk kanë prona apo interesa jashtë vendit.

Ndërkohë sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit zoti Zarif pritet të gëzojë imunitet ndaj arrestimit në rastin e udhëtimeve zyrtare për në Kombet e Bashkuara që mbahen në Nju Jork.

Të mërkurën zyrtarët amerikanë bënë të ditur se nuk e konsiderojnë më Mohammad Javad Zarif-in me ndonjë vlerë për diplomacinë. Administrata e mëparshme e Barack Obama-s bashkëpunoi me të për të hartuar një marrëveshje shumëkombëshe bërthamore, nga e cila administrata Trump u tërhoq një vit më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG