Protestat në Hong Kong precipituan në dhunë sot për të dytën ditë radhazi. Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat e demonstruesve, të cilët qëllonin me gurë dhe tulla në drejtim të një stacioni policie.
Demonstratat e fundjavës kanë vazhduar prej dy muajsh si rezistencë ndaj asaj që protestuesit e shohin si tentativë të Pekinit për të shtrënguar kontrollin mbi këtë territor autonom. Në një paralajmërim të frikshëm, një kanal shtetëror kinez njoftoi se Pekini nuk do të lejojë vazhdimin e protestave.
Demonstratat filluan sot në formë paqësore. Protestuesit këndonin dhe u binin instrumenteve muzikore. Por me afrimin e natës, grupe të vogla iu afruan stacionit të policisë dhe zyrës përfaqësuese të Pekinit. Qindra protestues të tjerë bllokuan rrugën në lagjen Territoret e Reja të Hong Kongut dhe filluan të qëllojnë me gurë e tulla duke thyer xhamat e dritareve.
Policia u përgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Prej nëntë javësh protestuesit kundërshtojnë tendencat autokratike, përfshirë masat e forta anti-demokratike që kanë marrë autoritetet e Hong Kongut ndaj kundërshtarëve të regjimit.
Facebook Forum