Lidhje

Ish luftëtari i UÇK-së mbahet në paraburgim në Shkup


Autoritetet maqedonase kanë pranuar të hënën kërkesën e Serbisë për ekstradimin e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim në Shkup, që prej datës 25 korrik. Ndalimi i ish luftëtarit Tomorr Morina është bërë me urdhër të Interpolit sipas kërkesës së Serbisë.

Vendimi duhet të merret nga Gjykata e Penale në Shkup e cila duhet të dëgjojë së pari mendimin e prokurorisë. Vendimi përfundimar do të merret nga Ministria e Drejtësisë për ekstradimin ose jo në Serbi të zotit Morina.

Ish luftëtari Tomor Morina ka dy nënshtetësi, të Kosovës dhe të Britanisë së Madhe, ndërsa Kosova ka këmbëngulur në lirimin e tij.

Të hënën gjykata në Shkup i ka dhënë leje Ambasadës së Kosovës për ta vizituar të ndaluarin, ndërkohë që nuk lejoi para pak ditësh zv/Kryeministrin Bujar Osmani dhe zv/Ministrin e Rendit të Maqedonisë së Veriut, Agim Nuhiu që ta vizitonin atë.

Shkupi është vënë në një situatë “në mes dy zjarresh” me Beogradin që pret ekstradimin e ish pjestarit të UÇK-së, për të cilin thotë se “ka kryer shumë krime ndaj civilëve në vitin 1999” dhe Prishtina, nga ana tjetër, që kërkon respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që një qytetar, si në këtë rast, të dërgohet në shtetin amë dhe jo në një shtet të tretë.

Autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut thonë se kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Interpol, por lidhur me rastin në fjalë do të lejojnë organet gjyqësore të zbatojnë procedurat.

Nuk ka parashikime se sa do të zgjasin procedurat, duke marrë parasysh edhe mundësinë e ankesave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG