Shumë universitete amerikane ofrojnë kurse mbi studimet islamike. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ali Orokzai, këto kurse tërheqin jo vetëm studentë myslimanë, por edhe shumë të tjerë.
Kolegji i Komunës në Virxhinian Veriore filloi të ofronte kurse mbi studimet islamike në 2002, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Profesor Daoud Nassimi thotë se interesimi për këto kurse ka vazhduar të rritet mes studentëve që nuk janë myslimanë:
“Studentët që nuk i përkasin fesë islame influencohen shpesh nga media dhe në shumë raste në mënyrë negatite për fenë islame. Disa prej tyre janë kureshtarë, duan të dinë çfarë përfaqëson kjo fe, duan të dinë përse ky besim nxit veprime të tilla negative për të cilat lexojnë në media: ‘Përse nxit kaq dhunë e terrorizëm?’ Nga ky kuriozitet, vijnë e ndjekin kurse”.
Kjo dëgjohet edhe në komentet e studentëve që i ndjekin këto kurse:
“E ndoqa këtë kurs që të mësoja më shumë për fenë islame, përtej atyre që dëgjoja në media mbi islamizmin. Kam krijuar shoqëri me studentë myslimanë, kam filluar t’i kuptoj më mirë konceptet e traditat,” thotë një studente.
“Para shkollës së mesme nuk kisha asnjë njohuri mbi këtë fe, por më pas krijova miqësi me shumë shokë myslimanë. Nga kontaktet me ta dhe familjet e tyre kam krijuar respekt për kulturën e tyre dhe tani dua ta kuptoj më thellë,” thotë një student.
Programi mësimor përfshin edhe një vizitë në një xhami të zonës për të parë se si myslimanët luten dhe praktikojnë besimin e tyre.
“Ishte një përvojë shumë interesante. Nuk isha mësuar të shihja njerëz që luteshin vetëm, pasi në kishën tonë ne lutemi së bashku,” thotë studentja Monica Ampofo.
“Nga vizita sot në xhami mësova se myslimanët nuk janë një grup i mbyllur. Ata komunikojnë me komunitete të tjera jo-myslimane,” thotë studentja Mirriam Saliaa.
Në një prezantim mbi lutjet në fenë islame, imami i xhamisë thekson sa e rëndësishme është që njerëzit të mësojnë për besimet e komuniteteve të tjera.
“Mesazhi që u përcjellim vizitorëve është se kjo xhami është e hapur për të gjithë. Këtu janë të mirëpritur edhe besimtarë të feve të tjera,” thotë Imami Naeem Baig.
Facebook Forum