Lidhje

Kryebashkiaku i ri i Kamzës hyn me forcë në zyrë


Në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i zgjedhur më 30 qershor, hyri sot në mjediset e Bashkisë, pasi porta kryesore ishte hapur më parë më forcë nga këshilltarët socialist, ndërkohë që forca të policisë kishin krijuar një gardh përpara godinës. Pasi kishte bërë më parë betimin, zoti Suli u paraqit në mjediset e Bashkisë pas orarit zyrtar, kur pararendësi I tij Xhelal Mziu, i cili ka drejtuar Kamzën për 12 vite më radhë ishte larguar, duke lënë të mbyllur me çelës dhe zyrën e tij, e cila u hap gjithashtu me forcë.

Zoti Mziu, kishte përsëritur disa herë se ai nuk do të dorëzonte Bashkinë, por pamjet që u vërejtën në momentin e hyrjes së kryetarit të porsazgjedhur, dëshmonin se ai ishte përgatitur për këtë moment dhe e kishte boshatisur tërësisht zyrën. Në një postim në Facebook, shoqëruar dhe me pamjet video të momentit kur thyhet xhami i derës së jashtme të godinës së Bashkisë, zoti Mziu shkruajti : “Vidhet forcërisht nga socialistët, institucioni i bashkisë Kamëz.Në orën 16.05 minuta Këshilltarët që u betuan se do të japin kontributin e tyre për të miratuar vendime të rëndësishme për qytetarët e Kamzës, të ndihmuar nga militantët e Partisë Socialiste dhe Personalisht nga Shefi i Komisariatit Nr.5 Sali Skura dhe ndihmësit e Tij thyen xhamat e derës së jashtme dhe duke shpërthyer atë me forcë duke treguar se me çfarë qeverisje lokale do të përfaqësohet qyteti i Kamzës”, u shpreh Mziu.

Për situatën e krijuar në Kamëz reagoi dhe kryetari demokrat Lulzim Basha: “Hajduti Rakip Suli me ndihmën e banditit Sali Skura dhunuan dhe zaptuan sot me forcë selinë e Bashkisë Kamëz. Për dhunën hajdutërore të dy këta kriminelë do të përgjigjen shpejt para ligjit! Uroj për të mirën e tyre dhe të Hajdutit Psiqik, që ajo ditë të vijë më shpejt se dita e përballjes me zemërimin e popullit”, theksoi zoti Basha në një deklaratë.

Nuk është rasti i parë që bashkiakët e rinj socialist, në disa prej qyteteve të drejtuara nga demokratët kanë hyrë forcërisht në mjediset e Bashkive që ata do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike dhe Lëvizja socialiste për integrim, së bashku me partitë e tjera të opozitës, i bojkotuan zgjedhjet e 30 Qershorit dhe deklarojnë se nuk e njohin rezultatin e dalë prej tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG