Lidhje

Hong Kong, dhjetëra të lënduar në protesta


Në Hong Kong, turmat e protestuesve të revoltuar bllokuan rrugët duke mos përfillur urdhërat e policisë për t’u shpërndarë. Policia përdori gazin lotsjellës dhe municion jo-vdekjeprurës për të detyruar shpërndarjen e turmës:

Dhjetëra të plagosur në disa distrike u njoftuan pas masave të policisë për të shpërndarë turmën. Dëshmitarët njoftojnë për gjëmime të forta dhe ulërima që dëgjoheshin natën.

Qeveria njoftoi për 54 të plagosur, përfshirë dy që u shtruan në spital në gjendje të rëndë. Sipas Autoritetit Spitalor, 28 të tjerë u cilësuan në gjendje të qëndrueshme.

Autoritetet anuluan fluturime sot në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut pas një demonstrate masive të organizuar nga protestuesit në aeroport:

“Lidhur me grumbullimet pa leje që trazojnë qetësinë publike, policia ka për detyrë, në bazë të ligjit, të veprojë, përfshirë shpërndarjen e protestuesve. Para se të vepronte, policia bëri paralajmërime duke i njoftuar protestuesit se mund të përdorej forca nëse nuk largoheshin, duke u dhënë njerëzve mundësi të shpërndaheshin para ndërhyrjes policore,” tha Sekretari i Hong Kongut për Sigurinë, John Lee.

Policia demonstroi funksionimin e një pompe të fuqishme uji për të paralajmëruar protestuesit. Gjatë ditëve të fundit autoritetet kanë ashpërsuar masat në përgjigje të protestave të dhunshme që kanë zaptuar Hong Kongun.

Protestat vazhdojnë prej 10 javësh. Ato filluan me kërkesën për të bllokuar një projekt-ligj për ekstradimin e të dyshuarve në Kinë, por tani kanë marrë trajtat e një revolte kundër autoriteteve me thirrjet për mbrojtjen e demokracisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG