Lidhje

SHBA, një studiuese e kancerit bëhet pronare restoranti


Tradicionalisht, emigrantët në Shtetet e Bashkuara hyjnë në biznesin e restoranteve me shpresën që brezi i ardhshëm të marrë një arsim të lartë. Por, një emigrante nga Kina zgjodhi një rrugë më të pazakontë, duke filluar karrierën në hulumtimin e kancerit, dhe më vonë duke gjetur sukses si pronare restoranti. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee sjell më shumë hollësi rreth historisë së emigrantes që jeton në Hjuston, e cila braktisi punën në laborator për të punuar në industrinë e ushqimit.

Në këtë kuzhinë, ekziston një përbërës që tërheq klientët në restorant.

"Ne përdorim piper të freskët nga qyteti im i fëmijërisë", thotë Yunan Yang, pronare e restorantit Pepper Twins.

Piperërat udhëtojnë brenda natës nga vendlindja e pronares, Chongqing, në Kinën jugperëndimore afër qytetit Sichuan, dhe vijnë këtu në restorantin e saj në Hjuston, të quajtur Pepper Twins. Aroma që krijojnë specat quhet "mala", që do të thotë djegës. Yunan Yang hapi restorantin e saj të parë katër vjet më parë, dhe tani ka zgjeruar biznesin, duke hapur pesë restorante të tjera në të gjithë Hjustonin

Karriera e saj në Shtetet e Bashkuara ishte jo konvencionale. Karriera e saj e parë nuk kishte lidhje me ushqimin. Yang erdhi në Shtetet e Bashkuara si studiuese e kancerit në një program të post-doktoraturës në qytetin e Madisonit, Uiskonsin. Ajo thotë se ekspozimi ndaj materialeve radioaktive dhe kimikateve pati një ndikim negativ në trupin e saj.

"Fillova të kisha gjakderdhje, pothuaj çdo ditë. Pasi humba dy bebe gjatë shtatzanisë, u detyrova të merrja një vendim të rëndësishëm për jetën time".

Zonja Yang vendosi të ndryshonte karrierën e saj për shkak të shëndetit dhe për të shmangur abortet në të ardhmen. Frymëzimin për hapjen e një restoranti e mori gjatë një konference në Kaliforni.

"Ne kaluam pranë një restoranti kinez, ku kishte një radhë tepër të gjatë dhe pritja ishte rreth një orë. Në qytetin tonë të vogël të Madisonit, nuk kishte restorante të mira kineze."

Zonja Yang nuk e hapi restorantin në një enklavë kineze siç bëjnë shumë emigrantë të tjerë në Shtetet e Bashkuara. Zonja Yang hapi restorantet e saj jashtë zonave me komunitete kineze, në lagje më të pasura. Në Hjuston, qyteti më i larmishëm në Amerikë, ajo thotë se shija e banorëve të saj për ushqimin kinez është bërë mjaft dalluese.

"Klientët amerikanë mund të dallojnë restorantet kineze autentike nga ato jo autentike sepse ata janë më të arsimuar dhe udhëtojnë shumë nëpër botë. Ata e dinë se si duket ushqimi origjinal kinez”.

Ravi Chawda është një prej klientëve të restorantit. Ai nuk ka qenë kurrë në Kinë.

"Kam bërë shumë biznes me kinezët, kështu që kam qenë në disa restorante mjaft autentike. Ky është një nga restorantet më autentike që kam provuar deri më tani."

Shijet autentike po tërheqin gjithashtu klientë besnikë kinezë, si Yan Xiang Yu, i cili ka studiuar në Sichuan, një provincë e njohur për ushqimet e saj djegëse.

"Unë mendoj se ata e përgatisin mirë shijen djegëse “ma”. Piperi i tyre është shumë aromatizues."

Yang, përveç biznesit të suksesshëm të restoranteve, tani ka edhe dy fëmijë që kanë frymëzuar logon e restorantit Pepper Twins.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG