Lidhje

Anija me mbi 100 imigrantë ende në ujrat e brigjeve të Italisë


Një organizatë humanitare spanjolle hodhi poshtë të dielën ofertën e Spanjës për të pranuar më shumë se 100 imigrantë kryesisht afrikanë që ndodhen në një anije shpëtimi të cilën Italia nuk kishte pranuar ta lejonte të ankorohej. Organizata humanitare tha se ishte shumë e rrezikshme që anija të lundronte aq larg.

“Jemi në një gjendje emergjence ekstreme humanitare," tha një zëdhënëse e organizatës bamirëse "Open Arms".

"Ajo që u nevojitet është të zbarkojnë menjëherë. Është e paimagjinueshme që të lundrojmë edhe për gjashtë ditë të tjera; aq do të na duhej që të mbërrinim në Algeciras," një port spanjoll.

Anija e "Open Arms" i mori imigrantët në brigjet e Libisë, por ata kanë ngecur prej rreth dy javësh në brigjet e Italisë.

Ministri i Brendshëm anti-imigracion Matteo Salvini ka refuzuar t’i lejojë imigrantët të zbarkojnë në ishullin jugor italian të Lampeduzës, pjesë e masave kundër anijeve bamirëse të shpëtimit, për të cilat ai thotë se lehtësojnë kontrabandën e migrantëve nga trafikantët njerëzorë në Libi.

Spanja tha se ishte "e pakonceptueshme" që Italia nuk i ka pranuar imigrantët, duke urdhëruar portin e saj të Algeciras të ishte e gatshme të pranonte anijen.

"Open Arms", një organizatë bamirëse spanjolle që ndërmerr operacione shpëtimipër ata që përpiqen të arrijnë në Evropë ndërsa ikin nga lufta, persekutimi ose varfëria, akuzoi zotin Salvinin se po përdor 107 imigrantët për "propagandë ksenofobe dhe raciste".

Zyra e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez tha se situata në anije ishte "urgjente" dhe "e papërballueshme" për 107 migrantët në bord, përfshirë dy fëmijë.

Varka e shpëtimit fillimisht kishte 147 imigrantë në bord, por Italia lejoi 40 të dilnin në breg, përfshirë disa që ishin të sëmurë dhe 27 që thanë se ishin të mitur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG