Lidhje

Mijëra vetë në protestat e fundit në Hong Kong


Dhjetëra mijëra demonstrues pro-demokracisë marshuan paqësisht nëpër rrugët e Hong Kongut të dielën, duke shënuar fundjavën e 11-të të protestave të njëpasnjëshme antiqeveritare.

Fronti i të Drejtave Civile të Njeriut, lëvizja që ka qëndruar pas protestave të Hong Kongut përgjatë gjithë verës, ka bërë thirrje për protesta "racionale, e jo të dhunshme". Në demostratat e mëparshme protestuesit janë përplasur me policinë në rrugë si dhe në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut, duke çuar në anulimin e rreth 1 mijë fluturimeve.

Në prag të tubimit të së dielës, Kanadaja lëshoi një deklaratë të përbashkët me Bashkimin Evropian në mbrojtje të "së drejtës themelore të qytetarëve të Hong Kongut për t’u grumbulluar".

Ministrja e Jashtme Kanadeze Chrystia Freeland dhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini thanë se: "liritë themelore, përfshirë e drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, duhet të vazhdojnë të mbështeten".

Ambasada kineze në Otavë publikoi një deklaratë në faqen e saj të internetit, ku thuhej se Kanadaja duhet "të ndalojë menjëherë ndërhyrjet në punët e Hong Kongut dhe punët e brendshme të Kinës".

Ndërkohë, Tajvani ka ofruar mundësi për azil politik për pjesëmarrësit në lëvizjen pro-demokracisë në Hong Kong, një ofertë që ka zemëruar Kinën.

Zëdhënësi i zyrës për çështjet e Tajvanit në Kinë, Ma Xiaoguang, tha të hënën se oferta "do të mbulojë krimet e një grupi të vogël militantësh të dhunshëm" dhe do t’i bëjë ata "më të guximshëm në përpjekjet për dëmtimin e Hong Kongut dhe do ta kthejë Tajvanin në një strehë të sigurtë për ata që duan t’i shpëtojnë ligjit''.

Ma Xiaoguang kërkoi që qeveria e Tajvanit "të ndalë përpjekjet për të minuar shtetin ligjor" në Hong Kong, si dhe ndërhyrjen në punët e saj duke "falur kriminelët".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG