Konstiuimi i Këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, i dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit, krahas protestave të opozitës, shkaktoi reagime të menjëhershme të forcave politike dhe analistëve të politikës.
Sipas opozitës, konstituimi i këshillit bashkiak është i jashtëligjshëm dhe nuk përfaqëson qytetarët e Shkodrës.
Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, deklaroi se: “Beteja e sotme në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës, nuk pranon papunësinë, padrejtësinë dhe arrogancën e tij”.
Sipas tij, qëllimi i opozitës është të nxjerrë këta njerëz nga institucionet qendrore, nga parlamenti e deri te bashkitë, sepse ata i pushtuan ato me dhunë e paligjshmëri.
“T’u vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve” - tha zoti Basha.
Por, përkundër gjuhës së ashpër të opozitës, drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, ka një tjetër vlerësim për ngjarjen, kur thotë se kriza politike po thellohet.
“Palët nuk kanë asnjë rrugë tjetër, por duhet të dialogojnë dhe të gjejnë mirëkuptim. Kjo është hera e parë që palët kundërshtojnë aq ashpër njëra tjetrën. Ndërkohë, për ngatërresat ligjore që janë shkaktuar nga palët është mëse e nevojshme ndërhyrja dhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese” - tha zoti Krasniqi.
Këshilli bashkiak u konstitua sot në Universitetin e Shkodrës, ndërsa opozitës protestonte jashtë ndërtesës.
Për kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sot shkodranët kanë “kuvendin” e tyre të ri vendor, të përbërë nga 51 këshilltarë bashkiakë të zgjedhur në Zgjedhjet Vendore të 30 Qershorit.
“Partia Socialiste i shpreh ndjesë komunitetit të nderuar të Bashkisë së Shkodrës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së detyrueshme të kryetarit te zgjedhur të Bashkise, por si në çdo rast, ne qëndruam përtej çdo interesi partiak, politik apo individual, vetëm në anën e ligjit dhe të interesit publik” - tha zoti Balla.
Ndërsa Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, drejtues i Institutit për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore, tha se për zgjedhjet vendore tw Shqipwrisw, KQZ e ka të vështirë të ndërhyjë në një situatë ligjore, që mund ta zgjidhë vetëm Gjykata Kushtetuese.
“Ajo që ndodhi sot në Shkodër interpretohet diametralisht ndryshe nga pozita dhe opozita. Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse presidenti veproi saktë me anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe me dekretimin e 13 tetorit. Këtë e kërkoi edhe OSBE me raportin e vet” - tha zoti Kume.
Protestuesit u përpoqën të ndalnin ceremoninë konstituese që zhvillohej nga këshilltarët e rinj bashkiakë. Pasi Këshilli i ri bashkiak i Shkodrës zgjodhi drejtuesen e vet, protestuesit ndoqën me protesta këshilltarët bashkiakë dhe politikanët socialistë të ardhura nga kryeqyteti.
Kryetari i zgjedhur për bashkinë e Shkodrës më 30 qershor, Valdrin Pjetri, u tërhoq nga ky post, pas publikimit nga opozita të dokumenteve italiane, të cilat provonin se ai u dëbua në vitin 2003 pas dënimit gjyqësor, si i përfshirë në trafik droge.
Facebook Forum