Lidhje

Imigrantët e dëshpëruar hidhen nga anija për të arritur në brigjet e Italisë


Imigrantët në anijen e organizatës bamirëse “Open Arms” që prej 19 ditësh janë në det të hapur pasi autoritetet italiane nuk i kanë lejuar të ankorohen, po hidhen në ujë nga anija në një përpjekje të dëshpëruar për të arritur në bregun e ishullit Lampeduza, vetëm disa qindra metra larg. Drejtuesit e ekuipazhit thanë se janë të gatshëm të sfidojnë autoritetet italiane dhe ta ankorojnë anijen me rreth 100 imigrantë në ishull.

Një anije shpëtimi e Rojes Bregdetare italiane dhe një gomone e policisë, iu afruan në mëngjes imigrantëve në përpjekje për t’i marrë në bord. Nuk ishte e qartë nëse ata do të çoheshin në ishull apo do të ktheheshin në anijen “Open Arms”.

Më herët kapiteni kishte informuar autoritetet italiane se ekuipazhi prej 17 vetësh nuk mund ta kontrollonte me gjendjen e tensionuar në bord të anijes humanitare me imigrantë.

Organizata bamirëse ka refuzuar disa oferta për t’u ankoruar diku tjetër, përfshirë një nga Spanja, nga frika se anija dhe migrantët nuk do të mund ta përballonin udhëtimin deri në një port spanjoll.

“Jo, ne nuk mund ta pranojmë Spanjën si port. Ne nuk mund të rrezikojmë sigurinë e gjithë këtyre njerëzve. Ata duhet të zbarkojnë tani. Ne jemi në një situatë emergjente humanitare. Nuk mund të vëmë në rrezik as jetën e imigrantëve as të ekuipazhit me gjashtë ditë të tjera lundrim. "

Organizata tha se shumë nga imigrantët në bord janë të sëmurë, kanë ndjenja vetëvrasëse dhe pranë çrregullimit mendor.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini – që ka qëndrime të ashpra kundër imigracionit – refuzon ta lejojë anijen spanjolle të ankorohet në një port të sigurt italian.

Një anije e dytë, “Ocean Viking” e organizatave bamirëse franceze “Mjekë pa Kufi” dhe “SOS Mediterraneo” - është gjithashtu në det të hapur me 356 migrantë kryesisht sudanezë, duke kërkuar një port të sigurt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG