Lidhje

Këshilltari Bolton diskuton në Kiev shqetësimet rreth praktikave të padrejta tregtare kineze


Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare John Bolton tha se gjatë vizitës në Kiev ka diskutuar me zyrtarët ukrainas shqetësimet e Uashingtonit rreth "praktikave të padrejta tregtare kineze".

I pyetur të mërkurën në lidhje me një blerje të mundshme nga Kina të kompanisë ukrainase të mbrojtjes Motor Sich, zoti Bolton tha se ai nuk dëshiron të diskutojë për kompani konkrete dhe se marrëveshje të tilla janë një çështje sovrane për Ukrainën, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Por ai e bëri të qartë se administrata amerikane nuk është dakord me një transaksion të tillë, duke u thënë gazetarëve: "Ne shtruam shqetësimet tona për ... praktikat e padrejta kineze të tregtisë, kërcënimet për sigurinë kombëtare që kemi parë në Shtetet e Bashkuara."

Duke folur për RFE / RL në Kiev të martën, zoti Bolton tha se shitja e mundshme kinezëve e kompanisë Motor Sich - prodhues i motorëve për raketa, helikopterë dhe avionë, "është një çështje që unë mendoj se është domethënëse për Ukrainën, por domethënëse edhe për SHBA, për Evropën, Japoninë, Australinë, Kanadanë dhe vende të tjera."

Ai akuzoi Pekinin për përdorimin e "suficiteve tregtare për të fituar avantazhe ekonomike në vendet e ndryshme të botës, për të përfituar nga teknologjitë e mbrojtjes që janë krijuar nga të tjerë.”

Në fillim të këtij muaji, media ukrainase njoftoi se dy kompani kineze kishin arritur një marrëveshje me koncernin ushtarak në pronësi të shtetit Ukroboronprom për të blerë së bashku firmën Motor Sich.

Firmat kineze, për të cilat besohet se janë të afërta me qeverinë e Pekinit, do të merrnin një paketë kontrolluese aksionesh, ndërsa Ukroboronprom do të kishte paketën bllokuese.

Motor Sich punëson më shumë se 20,000 njerëz në qytetin jug-perëndimor Zaporizhzhya të Ukrainës.

Një shitje e mundshme kinezëve provokoi një bastisje të selisë së kompanisë nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës në prill 2018 si dhe konfiskimin e aksioneve të saj. Në atë kohë, kompania vlente në treg rreth 500 milion dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG