Lidhje

Shtohet rezistenca ndaj pezullimit të parlamentit britanik


Kryeministri britanik Boris Johnson vazhdoi të përballet me kritika të enjten, pas aktit të tij për të pezulluar sesionin e parlamentit deri në mes të tetorit, ndërkohë që afron afati i finalizimit të Brexitit.

Masa e kryeministrit të mërkurën për të pezulluar sesionin e parlamentit, u kritikua ashpër nga ligjvënësit që kundërshtojnë daljen e Britanisë nga BE-ja deri më 31 tetor, qoftë edhe pa marrëveshje. Ky veprim i zotit Johnson shkurton kohën që kanë ligjvënësit në dispozicion për të bllokuar përpjekjet e kryeministrit që mund të çojnë në një shkëputje të pakontrolluar, kaotike.

Manovra e zotit Johnson ngjalli protesta para parlamentit si dhe në qytete të tjera përveç Londrës. Një peticion online kundër këtij veprimi është nënshkruar deri tani nga më shumë se 1 milion vetë.

Me këtë veprim, zoti Johnson ka krijuar fërkime edhe me anëtarë të tjerë brenda partisë së tij. Kritikët e tij e akuzojnë qeverinë e zotit Johnson se po kërcënon demokracinë britanike duke mos përfillur praktikat e pashkruara që udhëheqin politikën në vend.

Janë njoftuar gjithashtu ankimime në gjykatë. Ligjvënësit i kanë kërkuar Gjykatës Skoceze ta shpallë të paligjshëm pezullimin e parlamentit. Aktivistja kundër Brexitit, Ginal Miller thotë se ka paraqitur kërkesë për një shqyrtim juridik të përshpejtuar “për të sfiduar efektin dhe synimin” e pezullimit.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian, të mbledhur për takim në Helsinki, i bënë të enjten thirrje Britanisë të përpiqet për arritjen e një marrëveshjeje në bazë të së cilës të realizohet shkëputja nga BE. Disa ligjvënës paralajmëruan se pezullimi i parlamentit rrit shanset për një shkëputje kaotike.

Njoftimi i zotit Johnson u bë tre vjet pasi votuesit britanikë thanë përmes votës se duan të shkëputen nga Bashkimi Evropian, 46 vjet pasi Britania ishte bërë pjesë e këtij blloku.

Tradita e Pezullimit të Parlamentit

Pezullimi i parlamentit është një akt formal kushtetues kur pezullohet për pak ditë puna e organit legjislativ, zakonisht çdo vjeshtë, para se qeveria të parashtrojë një axhendë të re legjislative përmes një fjalimi që mban mbretëresha.

Por këtë radhë ky pezullim është shumë i pazakontë. Vetëm katër herë të tjera në histori – në 1628, 1831, 1948 dhe 1997 një mbret apo mbretëreshë e Britanisë ka pezulluar punimet e parlamentit për të penguar debatin e ligjvënësve.

Në 1628 ky akt nga Çarlsi I ndezi shkëndijën e Luftës Civile Angleze. Në 1831 ky akt u bë shkas për shtyrjen e një mase legjislative reformuese dhe në 1948, pasi arriti të pezullojë sesionin e parlamentit, qeveria laburiste e Clement Attlee-t arriti të shtetëzojë disa industri të rëndësishme. Në 1997, kryeministri i atëhershëm John Mayor e përdori këtë taktikë për të ndalur debatet mbi një skandal për pagesa të parregullta.

Përkrahësit e kryeministrit Johnson thonë se ky pezullim nuk ka ndonjë ndikim të madh, pasi bëhet fjalë për një periudhë fare të shkurtër që nuk do të kishte sjellë ndonjë efekt të rëndësishëm. “Brexitit si temë nuk i ka munguar vëmendja e parlamentit në debate të pafundme,” komenton përmes një postimi në Twitter Damian Collins, një ligjvënës konservator pro-Brexitit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG