Me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë është zyrtarizuar krijimi i komandës hapësinore të Shteteve të Bashkuara. Komanda e re do të ndihmojë ushtrinë amerikane të mbrojë interesat e SHBA-së në hapësirë. Pas kësaj, administrata e Presidentit Trump shpreson të krijojë edhe forcat hapësinore.
Shteteve të Bashkuara iu shtua edhe një komandë ushtarake, ajo e hapësirës.
“Kjo është ditë e shënuar, në të cilën vlerësohet rëndësia e hapësirës në sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare të Amerikës”, tha gjatë ceremonisë Presidenti Donalt Trump.
Komanda e hapësirës radhitet si komanda e 11-të luftuese. Secila ka mision ose gjeografik ose funksional.
Komanda e re do të riorganizojë dhe përmirësojë mbrojtjen dhe teknologjinë hapësinore, në një kohë kur raportet me Rusinë dhe Kinën janë ashpërsuar.
“Kundërshtarët tanë po e armatosin orbitën e Tokës me teknologji të reja, që kanë për objektiv satelitët amerikanë që luajnë rol kryesor në operacione ushtarake dhe mënyrën e jetesës në vend”, tha Presidenti Trump.
Rëndësia e hapësirës është shumë e madhe për veprime të përditshme, si navigimi ose veprimet bankare.
Asetet hapësinore kanë rol të madh edhe në misione ushtarake, nga lëshimi i raketave e deri tek grumbullimi i informacioneve sekrete.
Zyrtarë të administratës thonë se komanda e re është një hap para në synimet e mëdha të presidentit.
“Si komandë luftarake e unifikuar, komanda e hapësirës është hapi tjetër i madh drejt krijimit të Forcave të Pavarura Hapësinore si një shërbim shtesë ushtarak”, tha Sekretari i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, Mark Esper.
Forca Hapësinore do të ishte dega e parë ushtarake që kur Forca Ajrore u krijua pak pas Luftës së Dytë Botërore.
Por, për krijimin e saj duhet miratimi dhe financimi i Kongresit, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Facebook Forum