Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha të martën se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen për t’u dhënën fund demostratave kundër qeverisë që kanë tronditur territorin për rreth tre muaj. Zonja Lam hodhi poshtë njoftimet se udhëheqësit e Kinës nuk e kishin lejuar të jepte dorëheqjen, duke thënë se ajo dëshironte të zgjidhte vetë trazirat politike të qytetit.
Udhëheqësja e Hong Kongut Carrie Lam hodhi poshtë një njoftim të agjencisë së lajmeve Reuters, duke thënë se ajo kurrë nuk i kishte kërkuar qeverisë së Kinës që ta lejonte atë të jepte dorëheqjen për t’i dhënë fund krizës politike të qytetit. Reagimi i zonjës Lam kishte të bënte me një njoftim të agjencisë Reuters mbi një regjistrim me zë ku ajo shprehej se do të jepte dorëheqjen po të ishte e mundur. Ajo po ashtu shprehu zhgënjim që diskutimi private ishte shpërndarë në media.
“Kurrë nuk i kam ofruar dorëheqjen Kinës. Madje, as që më ka shkuar në mend të diskutoj një dorëheqje me Qeverinë Qendrore të Popullit. Zgjedhja për të mos dhënë dorëheqjen është e imja. Në takimin privat u përpoqa të sqaroj se në këtë situatë shumë të vështirë, zgjidhja më e lehtë është të largohesha. Por vazhdimisht gjatë këtyre tre muajve i kam thënë vetes time se unë dhe ekipi im duhet të qëndrojmë dhe të ndihmojmë Hong Kongun.”
Qindra-mijëra njerëz kanë pushtuar rrugët e Hong Kongut që nga mesi i qershorit duke protestuar fillimisht ndaj një legjislacioni, tashmë të
pezulluar, për ekstradimin në Kinë dhe gjykim nga gjykatat e kontrolluara nga partia komuniste të individëve të dyshuar.
Facebook Forum