Lidhje

Turqia përballë dyndjes së xhihadistëve nga Siria


Mijëra xhihadistë pritet të kërkojnë strehim në Turqi pasi forcat siriane mbajnë të rrethuar Idlibin, enklava e fundit e rebelëve sirianë. Ndërkohë që forcat siriane po veprojnë me këmbëngulje për të vënë nën kontroll të gjithë territorin e vendit, analistët paralajmërojnë se është vetëm çështje kohe para se Turqia të ndeshet me një eksod jo vetëm të refugjatëve, por edhe të luftëtarëve ekstremistë që do të përbëjnë një kërcënim serioz për vendin.

Forcat e qeverisë siriane po forcojnë rrethimin e qytetit Idlib, një qytet me rreth 3 milionë banorë, gjysma e të cilëve besohet se është larguar për t’u shpëtuar luftimeve.

“Nëse Presidenti sirian Assad vazhdon avancimin drejt veriut dhe merr nën kontroll Idlibin, njerëzit do të ikin drejt Turqisë. Në mesin e tyre mund të ketë dhjetëra mijëra ekstremistë, të cilët kur të vijnë në Turqi do të thellojnë destabilitetin e rajonit,” thotë Atilla Yesilada i organizatës “Global Source Partners”.

Presidenti turk u përpoq të blejë kohë kur u takua javën e kaluar në Moskë me homologun rus, Vladimir Putin. Pas takimit, presidenti sirian njoftoi ndalim-zjarri pas ofensivës së fundit. Por Presidenti Erdogan nuk arriti të bindë udhëheqësin rus për një ndalim të plotë të luftimeve në Idlib.

Analistët nënvizojnë se Presidenti Putin e ka këshilluar Ankaranë të negociojë drejtpërdrejt me Damaskun për mundësinë e krijimit të zonave të sigurta brenda territorit sirian. Por Turqia i ndërpreu marrëdhëniet me Damaskun në fillim të luftës civile në Siri.

Ndërkohë që sirianët dynden në zonat kufitare me Turqinë dhe forcat siriane pritet të rifillojnë ofensivën në Idlib, analistët paralajmërojnë se Ankaraja nuk ka shumë kohë për t’u përgatitur për këtë situatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG