Në Shqipëri, Komisioni i Ekonomisë dhe Finacave rrëzoi të mërkurën, pa ndonjë motiv të qartë ligjor, kandidaturën e zotit Petraq Milo për detyrën e Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit e mbetur vakante prej gati një viti, pasi parlamenti ka rrëzuar dhe dy kandidaturat e mëparshme të propozuara nga Presidenti Ilir Meta.
Në dokumentin që shoqëronte propozimin e tij, presidenti Meta theksonte se “Prof. Dok. Petraq Milo është një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë”.
Gjatë seancës dëgjimore me zotin Milo, relatorja e çështjes deputetja Evis Kushi vlerësoi pozitivisht kandidaturën “për seriozitetin, integritetin dhe profesionalizimin. Curriculum vitae dhe reputacioni i tij flasin vetë”, ndërsa u ndal më pas në disa gjetje të Shërbimit të Monitorimit të Parlamentit, sipas të cilit në Curriculumin e tij, zoti Milo nuk ka paraqitur eksperiencat e tij nga viti 1988 kur është diplomuar deri në vitin 1991, gjë e cila nuk ka të bëjë me asnjë prej kritereve ligjore për ushtrimin e funksionit të Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e që kandidati e sqaroi duke thënë se CV-të paraqesin si rregull aktivitetin e 10 vjeçarit të fundit e se ai vetë megjithatë kishte paraqitur eksperiencat e 20 viteve të fundit. Pavarësisht kësaj ai sqaroi Komisionin dhe për detyrën e mbajtur në vitet 1988-1991.
Një tjetër pikë kishte të bënte me faktin se zoti Milo rezulton të jetë anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Megjithatë ligji parashikon se “gjatë ushtrimit të funksionit të tij Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk mund të jetë…i zgjedhur në organet e ndonjë partie politike” dhe në formularin e plotësuar prej tij ai angazhohet se “do të shmangë çdo pozitë papajtueshmërie para ushtrimit të funksionit”.
Elementi i tretë i ngritur nga Shërbimi i Monitorimit të parlamentit, lidhej me paraqitjen e kandidaturës nga ana e tij më 17 Korrik të 2019 pranë Presidentit Meta, dhe se brenda të njejtës ditë ai i ishte propozuar parlamentit, ndërkohë që emri i tij nuk kishte qenë pjesë e listës së kandidatëve të vetofruar për këtë pozicion që ju përgjigjën thirrjes së interesit të Presidentit në tetor të vitit të shkuar. Por edhe ky moment, nuk përfshihet në asnjë prej kritereve ligjore të parashikuara. Dhe sipas këshilltarit juridik të Presidentit “qoftë Kushtetuta, qoftë çdo dispozitë e Ligjit nuk dikton procesin se si Presidenti përzgjedh kandidaturat”.
E hedhur në votim, kandidatura u rrëzua me shumicën e votave të anëtarëve të së majtës, siç kishte ndodhur më parë dhe me dy emrat e tjerë, për të cilët Komisioni kishte vërejtur mospërputhje me kriteret për emërimin e Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e parë e propozuar nga presidenti Meta ishte ajo e Vitore Tushës, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e cila u refuzua nga parlamenti për shkak të mungesës së formimit në fushën e financave, një kriter bazë për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Me të njejtin motiv, u refuzua më pas dhe kandidatura e Bahri Shaqirit, ish drejtor i Shërbimeve sekrete shqiptare dhe aktualisht këshilltar për Sigurinë i zotit Meta.
Facebook Forum