Lidhje

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miraton shkarkimin e Janevës


Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi sot vendimin e komisionit parlamentar për shkakrimin nga posti të prokurores së posaçme Katica Janeva. Vendimi pason akuzat dhe masën e paraburgimit ndaj zonjës Janeva, pas dyshimeve për përfshirjen e saj në një skandal të madh korrupsioni.

Parlamenti thotë se e shkarkoi atë për shkak të punës së paligjshme, të pandërgjegjshme dhe joprofesionale. 102 deputetë nga 120 sa ka gjithsej parlamenti në Shkup, votuan për shkarkimin e prokurores së posaçme, Janeva.

Parlamenti do t’ia dërgojë vendimin për shkarkimin, Këshillit të Prokurorëve Publikë për ta konstatuar largimin e saj nga detyra. Zonja Janeva akuzohet për përfitime materiale në rastin gjyqësor të njohur si “zhvatja” nga biznesmeni maqedonas Jordan Kamçev, të cilit i ishin bërë lehtësime rreth masës së paraburgimit lidhur me një rast tjetër gjyqësor ku ai është i akuzuar.

Zonja Janeva erdhi në krye të Prokurorisë së Posaçme, të themeluar para katër vjetësh, me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe kriminalitetit në radhët e zyrtarëve të pushtetit dhe politikanëve në Maqedoninë e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG