Lidhje

Polemika mbi takimin e mundshëm të Presidentit Trump me udhëheqjen iraniane


Presidenti Donald Trump i quajti "të pasakta" njoftimet se është i gatshëm të takohet "pa kushte" me udhëheqësit iranianë për të zbutur tensionet, edhe pse vetë ai dhe ndihmësit e tij e kanë bërë një premtim të tillë në disa raste.

Presidenti Trump tha të dielën vonë në Twitter se "sipas Lajmeve të Rreme, unë jam i gatshëm të takohem me Iranin pa kushte. Kjo është një deklaratë e pasaktë (si zakonisht!)".

Në muajin qershor, megjithatë, i pyetur për një takim pa kushte me Iranin, Presidenti Trump i tha rrjetit NBC: “Sa më takon mua, nuk ka parakushte".

Javën e kaluar, Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se "Presidenti e ka bërë të qartë, ai do të ishte i kënaqur të zhvillonte një takim pa parakushte." Njëzet sekonda më vonë, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shtoi, "Presidenti e bëri shumë të qartë: ai është i gatshëm të takohet pa parakushte."

Edhe pse nuk është planifikuar ndonjë takim, zyrtarët amerikanë kishin ngritur mundësinë që Presidenti Trump të takohej me Presidentin iranian Hassan Rouhani këtë muaj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG