Lidhje

Presidenti Trump dhe sulmet mbi objektet e naftës në Arabinë Saudite


Presidenti amerikan Donald Trump tha se "duket se" Irani ishte pas sulmeve të kësaj fundjave të kryera mbi objektet e naftës në Arabinë Saudite, por tha se Shtetet e Bashkuara nuk po shqyrtojnë alternativa për t’u kundërpërgjigjur pa patur "prova përfundimtare" se Teherani është përgjegjës.

Seria e sulmeve me dronë në Arabinë Saudite, që goditi qendrën e prodhimit të saj të naftës gjatë fundjavës, vazhdon të krijojë tensione.

Të hënën, Presidenti Donald Trump bëri një deklaratë ku pothuajse ja hidhte fajin drejpërdrejt Teheranit. Ai foli në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me Princin e Kurorës, Salman të Bahreinit.

"Do t'ju njoftojmë sapo ta zbulojmë përfundimisht. Por duket se kështu është”, tha presidenti.

Zoti Trump këmbënguli se ai nuk dëshiron luftë me Iranin, por tha se Shtetet e Bashkuara janë ushtarakisht gati.

"Ky ishte një sulm shumë i madh dhe mund të përgjigjemi me një sulm shumë, shumë herë më të madh prej nesh. Por fillimisht do të zbulojmë se kush e bëri atë përfundimisht", tha presidenti.

Grupi Huthi i lidhur me Iranin që kontrollon kryeqytetin e Jemenit, mori përgjegjësinë për sulmet. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar asnjë provë që vërteton se Irani ishte pas sulmit.

Teherani mohon çdo përfshirje, duke i cilësuar akuzat "gënjeshtra maksimale".

"Jemenasit po ushtrojnë të drejtën e tyre të ligjshme të mbrojtjes. Sulmet janë reciproke dhe zgjidhja kryesore është ndalja e tyre. Zgjidhja për krizën jemenase është gjithashtu politike", tha presidenti Rouhani.

I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm për Jemenin i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se sulmi ka pasoja të mëdha.

"Ky incident shumë serioz shton shanset e një konflikti rajonal dhe pakëson ato për ripajtim", tha Martin Griffiths.

Megjithë sulmet, presidenti Trump tha se ka ende hapësirë për diplomaci.

Frika nga zgjerimi i armiqësive në rajon ka rritur çmimet e naftës. Arabia Saudite tha se do të ftojë OKB-në dhe ekspertët ndërkombëtarë për të hetuar incidentin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG