Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ftoi sot partitë e opozitës që kanë braktisur parlamentin që të ulen se bashku për të diskutuar për Reformën Zgjedhore. Përmes një letre të hapur ai shprehet se është i gatshëm për bashkëbisedime pa kushte në çdo kohë e vend që do të zgjidhte opozita. Nuk vonoi përgjigja e kryetarit demokrat Lulzim Basha, sipas të cilit prioritet për vendin është zgjidhja e krizës politike
Pasi disa herë me radhë ka përsëritur publikisht angazhimin për të disktuar me opozitën për Reformën Zgjedhore, kryeministri Edi Rama ju drejtua kësaj të fundit me një letër të hapur duke e ftuar që të nisin së bashku një proces diskutimi për atë që ai e cilëson “një sfidë të përbashkët kombëtare”.
Zoti Rama thekson se “procesi tanimë ka nisur në parlament e do të përmbyllet po aty” por, sipas tij, “mungesa e forcave kryesore të opozitës në institucionin më të lartë vendimmarrës të Republikës, nuk e përjashton atë vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore”. E për këtë arsye ai i fton drejtuesit kryesor të opozitës, e cila shkurtin e kaluar braktisi parlamentin, që të takohen e bashkëbisedojnë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’i vinte për shtat opozitës, gjithnjë nëse ajo do të ishte e interesuar të përfshihej në këtë proces, pa kushte, përfundon letrën e tij kryeministri.
Përgjigja e kryetarit demokrat Lulzim Basha nuk vonoi: “Reforma Zgjedhore ka rëndësinë e saj, por zgjidhja e krizës politike kërkon vullnet politik. Letrat e hapura, provokime të tilla si përfshirja e të dyshuarve të dosjes 184 në procese si Reforma Zgjedhore, tregojnë mungesën e vullnetit politik. Ndaj, hapi i parë për zgjidhjen e krizës duhet të jetë pranimi i situatës së rëndë në vend, i paligjshmërisë, ku e ka futur vendin bashkëpunimi i kësaj qeverie dhe i këtij kryeministri me krimin e organizuar. Vetëm kjo mund të shtrojë bazën drejt një rrugëdalje nga kriza që prioritet kryesor dhe të parin duhet të ketë ndarjen e krimit nga politika. Dhe një Reformë Zgjedhore të plotë bashkë me një reformë të thellë politike”
Deklarimi i zotit Basha ishte në të njejtën kohë dhe një përgjigje për takimin e planifikuar, po për Reformën Zgjedhore, nga bashkëkyetarët e komisionit të posacëm të refomës dhe nga OSBE në Tiranë, ndaj së cilës kreu demokrat nuk e fshehu pozicionin e tij kritik: “Pres akoma që OSBE-ja në Tiranë të shprehet për raportin e OSBE/ODIHR-it, pres akoma të shprehet për 3 kryebashkiakët me rekorde kriminale, pres akoma të shprehet për shkeljet e rënda të Kushtetutës dhe të ligjit. Mendoj që këto janë të rëndësishme që shqiptarët t’i dëgjojnë. Nuk kemi dëgjuar asgjë nga këto nga OSBE-ja as për këto, as për të tjerat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt më mandatin e OSBE-së”.
Më vonë, në mbrëmje, Zoti Basha thirri në një takim dhe aleatët e tij, të cilët konfirmuan të njejtin qëndrim ndaj ftesës së kryeministrit Rama.
Facebook Forum