Lidhje

Udhëheqësit botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme se bota po e humb betejën kundër ndryshimit të klimës por ka akoma kohë për të ndalur efektet e fenomenit global.

"Ne po shohim temperatura të pashembullta, stuhi të pandalshme dhe shkencë të pamohueshme," tha Guterres. "Bota ka filluar të lëvizë - jo aq shpejt, por në drejtimin e duhur - larg karburanteve fosile dhe drejt mundësive të ekonomisë së gjelbër."

Udhëheqësit botërorë të përfshirë në disa nga çështjet më të mëdha gjeopolitike janë në mesin e atyre që do të mbajnë fjalime në ditën e parë të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Pas fjalimit hapës nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pjesëmarrësit në këtë takim vjetor do të dëgjojnë fjalimet e udhëheqësve botërorë. Pas fjalimit të Presidentit amerikan Donald Trump, do të jenë fjalimet e atij turk Rexhep Tajip Erdogan, Presidentit e Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe atij francez Emmanuel Macron.

Fjalimet vijnë një ditë pasi aktivistja adoleshente nga Suedia, Greta Thunberg kritikoi ashpër udhëheqësit botërorë në samitin e OKB-së për klimën, duke bërë thirrje për veprime ndaj ndryshimit të klimës.

Thunberg tha se njerëzit po vuajnë dhe po vdesin nga efektet e ngrohjes globale dhe se udhëheqësit botërorë po ofrojnë vetëm fjalë boshe.

"Jemi në fillimin e një zhdukjeje masive ndërsa ju flisni vetëm për para dhe tregoni përralla të rritjes së përjetshme ekonomike. Si guxoni!", tha Thunberg, e cila nxiti një lëvizje rinore me grevat në shkollën e saj çdo të premte për veprime kundër ndryshimit të klimës.

Ajo tha se shkenca ka qenë e qartë për 30 vjet, dhe udhëheqësit botërorë ende nuk po bëjnë sa duhet.

"Ju po na dështoni! Por të rinjtë kanë filluar ta kuptojnë tradhtinë tuaj", tha Thunberg me një zë emocionues. "Sytë e të gjithë brezave të ardhshëm janë mbi ju. Dhe nëse vendosni të na dështoni, unë them që kurrë nuk do t'ju falim".

16-vjeçarja Thunberg paralajmëroi më shumë se 60 presidentë dhe kryeministra të mbledhur në sallën e Asamblesë së Përgjithshme për samitin e klimës se rinia nuk do t'i linte ata "t’i shmangen kësaj përgjegjësie". Ajo tha se ky është kufiri i durimit dhe se "ndryshimi po vjen", pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo.

"Brezi im ka dështuar në përgjegjësinë e tij për të mbrojtur planetin tonë. Kjo duhet të ndryshojë", tha Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Ai ka bërë thirrje për një largim gradual nga përdorimi i karburanteve fosile dhe për t’i dhënë fund ndërtimit të termocentraleve të reja të qymyr gurit.

"A ka logjikë që të ndërtojmë më shumë termocentrale qymyr guri që po shkatërrojnë të ardhmen tonë?" pyeti sekretari i përgjithshëm. "A është i logjikshëm shpërblimi i ndotjes që vret miliona njerëz dhe rrezikon njerëzit në qytetet e botës, madje e bën të rrezikshëm daljen nga shtëpitë e tyre?"

Ai tha se është koha për t'i dhënë fund subvencioneve në industrinë e karburanteve fosile dhe të mos taksohen pagat e njerëzve por të vendosen taksa për karbonin dhe ndotjen.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi rëndësinë e samitit dhe sfidoi udhëheqësit që të nxjerrin "plane konkrete" dhe jo vetëm "fjalime të bukura".

India, e cila ka një nga nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në botë, tha se do të rrisë kapacitetin e saj të energjisë së rinovueshme në 175 gigavat deri në vitin 2022. Kryeministri Narendra Modi nënvizoi zgjerimin e prodhimit të energjisë diellore.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, me një paraqitje të rrallë të Shtetet e Bashkuara, u zotua se vendi i saj do të zvogëlonte emetimet e karbonit deri në 2030 me 55% në krahasim me emetimet e saj në vitin 1990. Ajo tha se Gjermania do të neutralizojë emetimin e karbonit deri në vitin 2050.

"Në vitin 2030 ne duam të marrim dy të tretat e energjisë sonë nga burimet e rinovueshme," tha Merkel. "Në vitin 2022, ne gradualisht do të heqim dorë nga energjia bërthamore, dhe më së voni, deri në vitin 2038, ne do heqim dorë nga qymyr guri."

Presidenti Trump, i cili njoftoi qëllimin e administratës së tij për t'u tërhequr nga Marrëveshja e Klimës në Paris menjëherë pas marrjes së detyrës, nuk kishte planifikuar të merrte pjesë ose të fliste në samitin e së hënës. Megjithatë, ai bëri një paraqitje të shkurtër dhe u pa i ulur në tryezën e delegacionit amerikan para se të merrte pjesë në një ngjarje mbi persekutimin fetar.

OKB lëshoi një raport përpara samitit të përpiluar nga Organizata Botërore Meteorologjike që tregon se ka pasur një përshpejtim të ndotjes

nga karboni, ngritjes së nivelit të detit, ngrohjes së temperaturave globale dhe tkurrjes së shtresave të akullit.

Raporti paralajmëron se temperatura mesatare globale për periudhën nga viti 2015 deri në fund të vitit 2019 është në ritëm për të arritur nivelin "më të ngrohtë të çdo periudhe ekuivalente në histori" me një rritje prej 1.1 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial.

Marrëveshja e Klimës në Paris e 2015, e cila është ratifikuar nga 186 vende, bën thirrje për veprime për të parandaluar rritjen e temperaturës globale me mbi 2 gradë, me një synim që ajo të qëndrojë brenda rritjes prej 1.5 gradë duke ulur emetimet e gazit serrë. Një nga emetuesit më të mëdhenj të gazit serrë në botë, Shtetet e Bashkuara, u tërhoqën nga pakti për klimën. Vendimi i qeverisë amerikane nuk ka ndaluar veprimet klimatike në nivelin shtetëror, vendor dhe privat në vend.

Raporti paralajmëron se për të arritur objektivin e ngrohjes me nivel nën 2 gradë, "niveli i ambicies duhet të trefishohet".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG