Lidhje

Vdes ish-presidenti francez Zhak Shirak


Franca po nderon ish-presidentin Zhak Shirak, një politikan veteran dhe mbështetës i multilateralizmit, bashkimit të Evropës dhe Afrikës, i cili vdiq të enjten në moshën 86 vjeçare.

Ligjvënësit francezë mbajtën një minutë heshtje ndërsa më vonë gjatë ditës pritet dhe një fjalim drejtuar kombit i Presidentit Emmanuel Macron.

Zhak Shirak i takonte gjeneratës së vjetër të politikanëve, kryetar i Bashkisë së Parisit për 18 vjet, përpara se të bëhej kryeministër e më vonë president për më shumë se një dekadë.

Ai do të mbahet mend për shumë gjëra, përfshirë të qënit kreu i parë i shtetit francez që pranoi rolin e vendit në Holokaust, gjatë një fjalimi të vitit 1985.

Shirak do të mbahet mend gjithashtu edhe për kundërshtimin e ndërhyrjes në Irak të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003.

Ai njihet si një mbështetës i vendosur i Afrikës. Zhak Shirak ishte mik i ngushtë me disa udhëheqës afrikanë, përfshirë Omar Bongo të Gabonit, Blaise Compaore të Burkina Fasos dhe Denis Sassou Nguesso të Republikës së Kongos.

Zhak Shirak themeloi muzeun “Quly Branly”, një vitrinë e artit afrikan, së bashku me Oqeaninë dhe kontinetin amerikan. Në vitin 2016, muzeut iu bashkëngjit edhe emri i tij duke u quajtur “Quai Branly - Zhak Shirak”. Megjithatë, kritikët thonë se lidhje të tilla nënvizojnë ndikimin e vazhdueshëm të Francës tek ish-kolonitë e saj.

Udhëheqësit e Kosovës të pikëlluar me vdekjen e ish presidentit Chirac

Në Kosovë udhëheqësit e vendit shprehën keqardhjen për vdekjen e ish presidentit francez, Jacques Chirac, ndërsa kujtuan rolin e tij gjatë luftës së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi ne rrjetet sociale se "ai ishte njëri prej figurave të mëdha të politikës botërore që i doli në ndihmë Kosovës në ditët më të vështira, sidomos në Konferencën e Rambouillet dhe përkrahjen për bombardimin e caqeve të policisë dhe ushtrisë serbe në vitin 1999. Jacques Chirac do të mbetet një burrështetas i respektuar dhe emër për të cilin qytetarët e Kosovës do të jenë përjetësisht mirënjohës!' shkroi ai.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se "Kosova do të kujtojë gjithmonë ish Presidentin Chirac si një përkrahës të fuqishëm të vlerave të lirisë dhe jetës, dhe në këtë frymë edhe vendimin për mbështetjen e fuqishme të Republikës së Francës për të ndalur gjenocidin dhe eksodin e popullit të Kosovës në vitin 1999, për intervenimin e NATO-s kundër agresorit serb udhëhequr nga Millosheviqi".

Kryetari i deritashëm i parlamentit, Kadri Veseli, shkroi se "si President i Francës në kohën e bisedimeve në Rambuje dhe sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, ai ishte mbështetës i madh i popullit tonë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë".

Në Francë qëndrimet ndaj tij ishin të përziera. Në një proces zgjedhor tronditës në vitin 2002, ai e gjeti veten në balotazh me udhëheqësin e ekstremit të djathtë Jean-Marie Le Pen, duke fituar më pas me lehtësi në atë që shumë e quajtën një votë kundër ekstremizmit. Por ai nuk arriti të rindërtojë ekonominë apo të adresojë në mënyrë të qëndrueshme problemet e të rinjve që vinin nga familje emigrantësh e të zhveshur nga të drejta të tyre ligjore, një situatë që shpërtheu në 2005-n.

Por ai e rifitoi popullariteti pas largimit nga pushteti në 2007 madje edhe pse disa nga akuzat ndër viti ndaj tij për korrupsion e çuan përpara gjykatës. Megjithatë shumë e mbajnë mend Zhak Shirakun për sharmin dhe aftësinë për të bërë për vete njerëzit thjeshtë, një njeri i kujdesshëm si me diplomatët ashtu dhe me fermerët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG