Shtatëdhjetë vjetori i sundimit të Partisë Komuniste Kineze u shoqërua me festime në Pekin, por me protesta në Hong Kong. Siç njofton nga ky qytet korrespondeti i Zërit të Amerikës Brian Padden, aktivistët për demokraci po përdorin taktika gjithnjë e më problematike për t’i bërë presion Pekinit të lejojë Hong Kongun të vetëqeveriset.
Presidenti kinez Xi Jingping kryesoi të martën një paradë ushtarake prej 15 mijë trupash, shoqëruar nga avionë ushtarakë e mijëra civilë veshur me kostume shumëngjyrësh që festuan 70 vjetorin e sundimit të Partisë Komuniste kineze.
Nga ana tjetër në Hong Kong me mijëra mbështetës pro-demokracisë u mblodhën në qendër të qytetit për të kundërshtuar një vendim të qeverisë për të ndaluar protestat gjë që e shohin si përpjekje gjithnjë e më autoritare nga ana e Pekinit.
"Shumë prej nesh që e vlerësojmë lirinë në funksion të ruajtjes së dinjitetit njerëzor e që jemi pro demokracinë, ndihemi të trishtuar për njerëzit, për bashkatdhetarët tanë që kanë qenë nën thundrën e shtypjes", thotë Albert Ho, ish-Kryetar i Partisë Demokratike të Hong Kongut.
Duke folur në paradën e organizuar në Pekin Presidenti Xi tha jo për herë të parë Hong Kongu dhe Macao janë dy sisteme autonome. Por ai theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë të luftojë për ribashkimin e gjithë popullsisë kineze, përfshirë edhe Tajvanin.
Zyrtarët e Hong Kongut zhvilluan një ceremoni të ngritjes së flamurit kinez për ndër të ditës kombëtare, aktivitet që u zhvillua në ambjente të brendshme, me qëllimin për të shmangur protestuesit. Festimet me fishekzjarre u anuluan gjithashtu.
Udhëheqësit e Hong Kongut kanë tërhequr një projekligj që u bë shkak për protesta masive, miratimi i të cilit do të mundësonte ekstradimin për procese gjyqësore në Kinë.
Por protestat pro-demokracisë vazhdojnë prej më shumë se katër muajsh. Protestuesit i kanë zgjeruar kërkesat e tyre duke përfshirë kërkesën që popullata të marrë pjesë në zgjedhjen e organit legjislativ, duke i dhënë fund sistemit aktual ku elitat e biznesit me lidhje me Pekinin zgjedhin rreth gjysmën e këtij organi.
Disa protestues kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të mbështesin përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong Kong.
"Do të mirëprisnim një vendim të Presidentin Trump për të ndaluar të gjitha investimet amerikane në Kinë dhe ato kineze në SHBA", thotë Chapman Chen, aktivist pro demokracisë.
Ndërsa në fillim protestat në qendër të Hong Kongut ishin kryesisht paqësore, me kalimin e ditëve ato janë shoqëruar me përleshje të mëdha mes protestuesve dhe policisë.
Aktivistët kanë përdorur taktika gjithnjë e më problematike. Policia e Hong Kongut është përgjigjur me akte force në rritje, duke përdorur spërkatjen me piper, ujin apo dhe plumbat e gomës për të shpërndarë protestuesit.
Këto veprime konfrontuese nga të dyja palët mund të përshkallëzohen në tensione e të bllokojnë çdo mundësi për kompromis.
“Mbështetësit e vijës së ashpër thonë: nuk kemi zgjidhje tjetër. Hong Kongu po na rrëshqet nga kontrolli për shkak të këtyre terroristëve dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç të hyjmë e t’i godasim", thotë Richard Bush, i Institutit Brrokings.
Megjithatë deri më tani, Pekini nuk ka ndërhyrë ushtarakisht pasi një veprim i tillë do të dënohej ndërkombëtarisht e mund të kishte pasoja serioze ekonomike për Hong Kongun dhe Kinën.
Facebook Forum