Lidhje

Ambasadori Soreca: “Gjithçka për Drejtësinë”


Drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, tha sot se BE po e mbështet fort reformimin e sistemit gjyqësor, sepse shoqëria këtu po vuan nga mungesa e besimit tek institucionet e drejtësisë.

Ambasadori Soreca: “Gjithçka për Drejtësinë”
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Ai i bëri këto komente në konferencën rajonale “Gjithçka për Drejtësinë”, ku morën pjesë ministrat e drejtësisë së rajonit, përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe institucione të tjera.

“Bashkimi Europian është krenar që ka punuar për të mbështetur Shqipërinë në reformën e saj të sistemit të drejtësisë, sepse ka punuar për ato vlera të sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore. Reformat nuk ndodhin pse i kërkojmë ne; ato ndodhin sepse i kërkon pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare, e cila vuan nga shkeljet në një sistem drejtësie, i cili kishte dështuar” - tha zoti Soreca.

Ai tha se mungesa e besimit të qytetarëve ndaj drejtësisë nuk është thjesht perceptim, por vjen nga padrejtësitë e hidhura, që ata kanë pësuar nëpër gjykata.

“Një pronë e vjedhur ndër vite, apo një kriminel që nuk dënohet, apo një biznes familjar që mbylle nga kërcënimi i mafias e dëmtuan besimin. Qytetarët shqiptarë mbajnë shpresë te legjitmiteti i reformës në drejtësi dhe te rezultatet e saj” - tha zoti Soreca.

Ambasadori i BE-së tha se gjatë 3 viteve të fundit shumë pak vende në botë kanë bërë një shndërrim kaq të thellë dhe të kenë patur këtë nivel të monitorimit ndërkombëtar.

“Një e treta e Kushtetutës u ndryshua, 40 ligje të reja u hartuan dhe u ndryshuan, që kishin të bënin me qeverisjen e gjyqësorit, i cili u riformësua për ta bërë atë më të pavarur nga ndikimi i politikës duke u hapur ndaj fushës akademike dhe shoqërisë civile; 3 institucione të reja u krijuan dhe rreth 100 gjyqtarë e prokurorë nuk janë më pjesë e sistemit prej vettingut” - theksoi ai.

Zoti Soreca shtoi se gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, të cilët kaluan procesin e rivlerësimit, do të marrin meritat e tyre, sepse nuk e humbën asnjëherë bursën e ndershmërisë dhe integritetit, ndaj nuk do të njollosen më nga reputacioni i keq i atyre që nuk patën ndershmëri në sistem.

“Por asnjë ndryshim themelor nuk ndodh brenda natës. Duhet të fillojë nga një pikë e caktuar. Sistemi i ri i drejtësisë është një realitet kushtetues dhe institucional, nga i cili nuk do të ketë kthim pas. Reforma në drejtësi është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë. Nga ajo i kanë hedhur sytë edhe vendet e rajonit e më tej. Historia nuk merr fund këtu, ne jemi në një kryqëzim tashmë, sepse duhet të sigurojmë qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit” - tha ambasadori Soreca.

Sipas tij, pritshmëria është shumë e lartë për t’u ngritur Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale, ndërsa qytetarët shqiptarë mezi po presin krijimin e BKH dhe SPAK-ut e më së shumti ata presin rezultatet e punës që do të kenë këto dy institucione.

“Detyra e përbashkët tashmë është që të mos ketë ngadalësim në mes të këtij rrugëtimi. Ka ende shumë për të bërë dhe duhet bashkëpunim në vazhdimësi. BE do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë, dhe do të sjellë financime të tjera nga 42 milionë euro që janë kushtuar për programin e drejtësisë, dhe 34 milionë euro do t’i jepen buxhetit të shtetit shqiptar në mënyrë që të ketë rezultate në sistemin e drejtësisë. BE është krenare që është mbështetësja numër 1 e drejtësisë së re në Shqipëri” - theksoi ambasadori Soreca.

Ai shtoi se Shqipëria është tani vetëm dy javë larg një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e saj, por pa reformën në drejtësi Shqipëria do të kishte pritur shumë vite për të arritur këtë moment të rëndësishëm ku gjendimi; janë vite, që shqiptarët nuk duhet t’i humbasin.

“Reforma ka thedhur themele të rëndësishme në sektorin e drejtësisë sa i takon paanësisë, profesionalizmit, pavarësisë. Shqipëria është gati tani të lëvizë në një stad tjetër dhe të ndërmarrë hapat e tjerë. Hapja e negociatave për anëtarësim do të ndryshojë gjithçka për Shqipërinë dhe do të sigurojë që procei i reformës do të jetë i pakthyeshëm dhe i qëndrueshëm” - tha ambasadori Soreca.

Ai shtoi se historia e reformës në drejtësi është një histori konsensusi dhe kjo ka të bëjë me rrënjosjen e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“Kjo tregon vlerën më të mirë të Shqipërisë, kur politikanët e saj bëhen bashkë për të mirën e qytetarëve të saj” - theksoi zoti Soreca.

Në konferëncë foli edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se vendi ka nevojë për një demokraci dhe institucione funksionale.

“Korrupsioni në 30 vitet e demokracisë është rritur dhe gjendet te politikanët, por me procesin e rivlerësimit, mori fund ideja e të paprekshmëve, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Këta të fundit ishin forca e pushtetit të korrupsionit, që e garantonin dhe e ushqenin atë” - tha zoti Rama. Ai shtoi se pa Gjykatë Kushtetuese vendi nuk mund të jetë shtet anëtar i BE, por ky proces do kohë, ndërsa reforma në drejtësi po bëhet duke patur në në krah SHBA dhe BE-në.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG