Lidhje

Presidenti Trump dhe procesi për shkarkim nga posti


Trump
Trump

Demokratët e opozitës po avancojnë në hetimet për të hapur procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump, ndërkohë që administrata ka bllokuar dëshmitë e disa prej personave kyçë dhe ka vonuar dorëzimin e dokumenteve të rëndësishme. Demokratët e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve mund të votojnë së shpejti për të hapur procesin për shkarkimin e presidentit lidhur me kontaktet me Ukrainën. Kjo do të çonte në hapjen në Senat të gjyqit për largim nga posti të presidentit, por republikanët kanë shumicën në Senat dhe parashikohet që do të votonin për ta shpallur presidentin të pafajshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell hollësi mbi betejën politike që po vazhdon në Uashington:

Presidenti Trump mbetet sfidues përballë hetimeve të hapura nga demokratët për të nisur procesin për shkarkimin e tij:

“Ato që po i bëjnë vendit janë të paimagjinueshme. Është fat i madh që jam unë president, sepse shumë veta e kanë thënë që të paktë janë ata që mund ta përballonin. Mua në fakt më jep energji kjo situatë. E dini përse? Sepse është e rëndësishme,” tha presidenti.

Në zemër të procesit janë përpjekjet e presidentit për të bindur vende të tjera të hapnin një hetim mbi rivalin politik të zotit Trump, ish-nënpresidentin Joe Biden.

Demokratët i shohin veprimet e presidentit si abuzim autoriteti. Ndër ta kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff:

“Ky është një ndër hetimet e pakëta që mund të çojë në procesin për shkarkimin e mundshëm të presidentit të vendit. Është direkt i lidhur me pyetjen nëse presidenti abuzoi pushtetin duke kërkuar ndihmë për fushatën e tij zgjedhore, në një mënyrë që dëmton sigurinë kombëtare”.

Presidenti Trump ka mohuar se ka patur shkelje dhe thotë se synimi i tij ishte lufta kundër korrupsionit, jo politika.

Ligjvënësit republikanë, të cilët i kanë dalë në mbrojtje presidentit, u janë kundërvënë përpjekjeve për shkarkimin e mundshëm të presidentit.

Por Dhoma e Përfaqësuesve, nën kontrollin e demokratëve, po tenton që për herë të tretë në historinë e vendit të hapë procesin për shkarkimin e mundshëm të presidentit, thotë analisti ligjor Paul Schiff Berman.

“Këto janë akuza shumë të rënda. Nuk mendoj se ka shembuj të tjerë në historinë e vendit kur një president ka vepruar në politikën e jashtme në mënyra që i sigurojnë përfitime personale”.

Analisti William Galston thotë se hapja e procesit është vetëm hapi i parë:

“Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton pro ngritjes së akuzave, pasi në këtë rast Dhoma e Përfaqësuesve luan rolin e një prokurori që ngre akuzat, çështja i kalon Senatit. Aty zhvillohet gjyqi, por do të duhen 2/3 e senatorëve që të largohet presidenti nga posti”.

Republikanët kanë shumicën në Senat dhe presidenti mbetet optimist për rezultatin edhe nëse hapet procesi gjyqësor:

“Çështja do t’i kalojë më pas Senatit dhe aty do të fitojmë. Republikanët kanë qenë shumë të bashkuar. Kjo është gjuetia më e madhe e shtrigave në historinë e vendit,” tha presidenti.

Ngritja e akuzave dhe më pas largimi i presidentit nga posti kërkojnë 2/3 e votave në Senat, ose 67 nga 100 senatorët.

Ky është një objektiv shumë ambicioz, duke pasur parasysh realitetin thotë analisti Galston:

“Kjo kërkon që 20 nga 53 senatorët republikanë të bashkohen me demokratët për ta realizuar shkarkimin e presidentit. Pra kërkohet një koalicon shumë më i gjerë dypartiak se ç’kemi parë në realitet”.

Procesi i fundit për shkarkimin e një presidenti u zhvillua në Senat në 1999, kur Presidenti Bill Clinton u lirua nga akuzat për shkelje që lidheshin me marrëdhëniet jashtëmartesore me një praktikante.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG