Polonia po zhvillon këtë të dielë zgjedhjet parlamentare për 460 anëtarë në dhomën e ulët të parlamentit dhe 100 në Senat për një mandat katër vjeçar.
Mbështetësit e partisë konservatore në pushtet Ligji dhe Drejtësia, e cila është në avantazh, e shikojnë votimin si një shans për të ruajtur përfitimet e mira sociale mujore që kanë rritur standardet e jetesës. Marek Paciorek është një prej votuesve që ka përfituar nga programi.
“Jam shumë i lumtur sepse pas kaq shumë vitesh robërie komuniste, kemi profesionistë të vërtetë në qeveri. Në qeveri nuk ka më njerëz të rastit që nuk e dinë se çfarë po bëjnë, dhe nuk kanë plane. Qeveria ka një plan veprimi për të ardhmen.”
Përkrahësit e partisë në pushtet e miratojë qasjen konservatore në vend, në një kohë të ndikimeve liberale dhe laike nga Perëndimi. Nga ana tjetër, kritikët thonë se partia në pushtet ka ndërmarrë sulme të pamëshirshme ndaj rendit kushtetues.
“Votimi është për të mbajtur qeverinë dhe politikanët përgjegjës për premtimet e tyre. Jam i kënaqur për disa aspekte por jo me të tjerat. Gjithçka varet nga këndvështrimi”,- thotë votuesi Pawel.
Akuza më e rëndë përqendrohet tek reformimi i sistemit të drejtësisë, që është kritikuar ashpër edhe nga Bashkimi Evropuan dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Ka disa që druhen se demokracia e vendit do të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme nëse konservatorët fitojnë një mandat tjetër katër vjeçar. Votimet e së dielës konsiderohen si zgjedhjet më të rëndësishme në Poloni që nga rënia e komunizmit 30 vjet më parë.
Facebook Forum