Lidhje

Tiranë: Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim festoi 10 vjetorin


Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim festoi sot në Tiranë 10 vjetorin e themelimit me një ceremoni, ku morën pjesë përfaqësues të njohur të shtetit dhe politkës shqiptare, si dhe dhjetëra bashkëpunëtorë dhe përfitues të projekteve të tij në Shqipëri.

Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff, u tha të pranishmëve se në suksesin e një pune të përbashkët ka rëndësi bashkimi I energjive për të vazhduar punën me sukses.

“Ne sot festojmë 10 vitet e shkuara dhe nesër fillojmë historinë e 10 viteve të ardhshme. E ardhmja është pikërisht sot dhe së bashku mund të shkruajmë kapitullin tjetër të historisë shqiptare” - tha ai.

E ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë, Leyla Moses Ones, vlerësoi faktin që AADF është sot organizata më e madhe amerikane që vepron në Shqipëri dhe po zhvillon sektorë të ndryshëm.

“SHBA-të kanë punuar dhe po punojnë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në shumë fusha” - tha zonja Ones. - Sot përgëzojmë punën e madhe të fondacionit. Ky është një festim dhe shënim i vlerave që ndahen mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, vlera të cilat çuar përpara zhvillimin në të dy vendet”.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, uroi me një mesazh 10 vjetorin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. “Pas rënies së komunizmit në Europën Lindore, SHBA i mbështeti njerëzit përmes bujarisë së Amerikës. Fondacioni vepron si një dhuratë nga populli amerikan dhe ka investuar më shumë se 55 milionë dollarë për të promovuar sipërmarrjen e arsimin profesional si dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore e natyrore” - theksoi presidenti Trump në mesazhin e tij.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, tha në tubim se Shqipëria ndodhet në udhëkryq sa i takon ekonomisë dhe politikës, ose të zhvillohet përpara ose të bëjë hapa pas.

“Na duhet të zgjedhim cilën rrugë do të marrim. Do të zgjedhim rrugën e lirisë, transparencës, llogaridhënies dhe zhvillimit? Apo do vazhdojmë të ngecim në rrugën e tanishme? Na duhet jo vetëm të punojmë ngushtësisht me ju, me miqtë e partnerët tanë euro-atlantikë, por të vëmë në jetë reforma dhe ndryshime të mëdha. Na duhet ta pastrojmë Shqipërinë”, - tha zoti Basha.

AADF po ndihmon Shqipërinë në zhvillimin e sektorit privat, tregti, arsim, sipërmarrje, eko-turizëm etj. Një mori projektesh zhvillimi të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare kanë në qendër ndihmesën e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG