Lidhje

Aktorja Felicity Huffman nis vuajtjen e dënimit me burg


Një përfaqësues i aktores Felicity Huffman tha se nga e marta ajo ndodhet në një burg federal në Kaliforni për të vuajtur një dënim dy-javor rreth skandalit të pranimeve në kolegj.

Institucioni Federal Korrektues “Dublini” është një burg grash i sigurisë së ulët që ndodhet në zonën e San Franciskos.

Muajin e kaluar një gjykatëse federale në Boston e dënoi zonjën Huffman me 14 ditë burg, 30 mijë dollarë gjobë, 250 orë shërbim në komunitet si dhe një vit shërbim prove.

Aktorja e konsideruar si ylli i serialit televiziv amerikan “Desperate Housewives” “Shtëpiaket e Dëshpëruara” pranoi fajësinë në muajin maj për mashtrim dhe komplot. Ajo kishte paguar një punonjës të zyrës së pranimit në një kolegj me 15 mijë dollarë me qëllimin për të korrigjuar përgjigjet e testit të standardizuar për pranimet në kolegjet amerikane (SAT) të vajzës së saj.

Në një deklaratë të martën nga përfaqësuesi i zonjës Huffman thuhej se ajo “është gati të vuajë dënimin me burg bazuar në vendimin e gjykatëses Talwani si pasojë e veprimeve të zonjës Huffman”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG