Lidhje

Italia mbështet me forcë hapjen e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin


Nga Tirana, ku ndodhej për vizitën e tij të parë zyrtare, kryeministri italian Giuseppe Conte premtoi se ai do të angazhohet personalisht në mbështetje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE me Shqipërinë. “Italia e mbështet çeljen e bisedimeve dhe personalisht, ditën e enjte dhe të premte do të mbështes këtë pozicion në Këshill dhe do ta mbroj me shumë bindje”, deklaroi ai gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama. “Jam i bindur se procesi i integrimit dhe çelja e negociatave për Shqipërinë janë instrumentet më të mira për të garantuar zhvillimin e Shqipërisë në interes jo vetëm të Italisë dhe të Shqipërisë, por edhe të gjithë Europës në të gjitha aspektet, si nga aspekti ekonomik, politik dhe i sigurisë. Dhe kjo vlen dhe për Maqedoninë e Veriut”, theksoi ai.

“Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe dhe i kërkohen reforma, që janë të kushtueshme, që kërkojnë angazhim dhe kurajo. Populli është shprehur pro anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndaj duhet që institucionet të vijojnë në rrugën e nisur për të mos i zhgënjyer në këtë aspiratë. Por është e kuptueshe - shtoi ai – që në mënyrë që të mos ketë zhgënjim, të ketë një rrugëtim të qartë dhe një perspektivë që konkretizohet”.

Kryeministri italian u shpreh se “prioritet mbetet vijimi i reformave, duke nisur me zbatimin e reformës në Drejtësi, ku janë shënuar hapa domethënës, e duke vazhduar me rivënien në funksion të gjykatave, dhe dhënien jetë institucioneve të reja për të luftuar me më efikasitetit krimin dhe korrupsionin.

Zoti Conte u ndal dhe të kriza e gjatë politike në Shqipëri.”Vëmendja jonë dhe e Europës është e fokusuar dhe drejt aftësisë së Shqipërisë për të zgjidhur krizën”, gjë e cila do të ishte sipas tij “një shenjë pjekurie politike dhe institucionale. Besoj se shumica dhe opozita kanë interes që ta arrijnë këtë me mjetet e tyre. Uroj – vijoi me tej – kryeministri italian – që qeveria ti parashtrojë së shpejti opozitën një platformë për rifillimin e dialogut në mënyrë konstruktive dhe nxis që linja e zgjedhur nga opozita të evoluojë drejt një dialogu konstruktiv pa parakushte”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG