Lidhje

Mulvaney: Ngrirja e ndihmës u bë pjesërisht për t'i bërë presion Ukrainës


Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë pranoi të enjten se Presidenti Donald Trump e kishte penguar ndihmën ushtarake për Ukrainën në fillim të këtij viti, pjesërisht për t’i bërë presion Kievit që të shqyrtonte akuzat lidhur me zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Shefi në detyrë i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Mike Mulvaney, tha në një konferencë për shtyp se një veprim i tillë ishte "absolutisht i përshtatshëm" duke shtuar se ishte pjesë e një shqetësimi më të gjerë të Presidentit Trump lidhur me korrupsionin në Ukrainë.

"Kthimi pas tek kjo çështje që ndodhi në vitin 2016 ishte sigurisht pjesë e shqetësimit të tij (presidentit) mbi korrupsionin në atë vend", tha zoti Mulvaney. Ai shtoi se në fund Ukrainës iu dha ndihma.

I pyetur nëse në këtë rast bëhet fjalë për një transaksion të tipit “Quid pro quo” zoti Mulvaney u tha gazetarëve se: "ne e bëjmë këtë gjë gjithë kohës në politikën e jashtme". Shprehja latinisht “Quid pro quo” nënkupton ofrimin e një favori në këmbim të diçkaje tjetër.

Ndërkohë në Kongres vazhdojnë seancat dëgjimore lidhur me hetimet që po kryen rreth një telefonate të presidentit Trump dhe homologut të tij të Ukrainës që potencialisht mund të çojë në ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij. Të enjten dëshmoi ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian Gordon Sondland. Sipas medias që siguroi dëshminë e parashkruar të tij ai u ka thënë ligjvënësve se “t’i kërkosh një vendi të huaj të hetojë me qëllim ndikimit në zgjedhjet e ardhshme amerikane është diçka e gabuar".

Dëshmia e zotit Sondland vjen pasi ai refuzoi të paraqitet vullnetarisht për të dëshmuar në Kongres bazuar në një urdhër të Departamentit të Shtetit.

Në dëshminë e parapërgatitur ambasadori Gordon Sondland shkruan se nuk ishte i pranishëm gjatë telefonatës më 25 korrik mes presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës dhe se nuk e dinte që Trump kishte folur rreth ish-nënpresidentit Joe Biden.

Ambasadori shkruante se diplomatët dhe zyrtarët ishin të zhgënjyer me vendimin e zotit Trump për të përfshirë avokatin e tij personal Rudy Giuliani, në marrëdhëniet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

"Unë nuk do ta rekomandoja që zoti Giuliani ose ndonjë qytetar privat të ishte i përfshirë në politikën e jashtme", thuhej në dëshminë parapërgatitur të zotit Sondland. "Megjithatë, duke pasur parasysh orietimin e qartë të presidentit si dhe rëndësisë që i kushtuam organizimit të një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes presidentëve Trump dhe Zelenskiy, ramë dakord të bëjmë ashtu siç na orientoi Presidenti Trump".

Ambasadori Sondland është një prej disa diplomatëve të cilët këshilluan udhëheqësin e Ukrainës se si t’u qaset kërkesave të presidentit Trump pas telefonatës mes tyre më 25 korrik.

Gjatë bisedës zoti Trump i kërkoi zotit Zelenskiy që Ukraina të hetojë një nga kundështarët kryesorë të tij, ish-nënpresidentin Joe Biden si dhe djalin e tij Hunter Biden.

Si Joe Biden ashtu edhe djali i tij i kanë hedhur poshtë çdo pretendim për shkelje nga ana e tyre. Gjatë një interviste këtë javë Hunter Biden tha se kishte dështuar të merrte parasysh ndërlikimet e mundshme që mund të sillte angazhimi i tij si anëtar bordi i një kompanie enegjitike në Ukraninë, për karrierën politike të babait të tij.

Hetimet në Kongres u nxitën nga ankimi i një informatori lidhur me përmbatjen e telefonatës së 25 korrikut mes dy presidentëve, të cilën e cilësonte si shqetësuese. Por Presidenti thotë se biseda e tij ishte perfekte dhe e ka cilësuar hetimin si “gjueti shtrigash”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG