Lidhje

Boris Johnson: Zgjedhje më 12 dhjetor për të zgjidhur ngërçin


Kryeministri britanik Boris Johnson bëri thirrje të enjten për zgjedhje të përgjithshme më 12 dhjetor për të tejkaluar siç tha, ngërçin politik lidhur me shkëputjen e Britanisë nga BE-ja. Ai pranoi për herë të parë se nuk e plotëson dot premtimin e tij për ta shkëputur vendin nga Bashkimi Evropian javën tjetër, “gjallë a vdekur” siç ka thënë.

Zoti Johnson shkruante në një letër drejtuar udhëheqësit të opozitës Jeremy Corbyn se ai do t'i jepte parlamentit më shumë kohë për të miratuar marrëveshjen e tij për Brexit-in, por ai shkruante se ligjvënësit duhet të mbështesin propozimin e tij për zgjedhje në dhjetor, që shënon përpjekjen e tretë të zotit Johnson për zgjedhje të parakohshme.

Partia Laburiste tha se do ta mbështesë idenë për zgjedhjet vetëm kur rreziku që zoti Johnson të largojë Britaninë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, të hiqet nga tryeza. Partitë të tjera në opozitë e kundërshtuan propozimin.

Kur mbetet një javë nga afati i paracaktuar për shkëputjen e Britanisë nga BE-ja (31 tetor), blloku duket i vendosur t'i sigurojë zotin Johnson një shtyrje të procesit, diçka për të cilën ai ka thënë vazhdimisht se nuk e dëshiron, por se është detyruar prej parlamentit që ta kërkojë.

Më herët zoti Johnson ishte zotuar se Britania do të dilte nga BE-ja “gjallë apo vdekur”, më 31 tetor, ndërsa tani duket se do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Por, siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, kjo nuk është aq e thjeshtë.

Një tjetër afat për Brexit-in po kalon. Një tjetër kërkesë britanike për më shumë kohë. Kryeministri Boris Johnson këmbënguli të mërkurën se plani i tij vazhdon të jetë largimi më 31 tetor.

“Nuk mendoj se njerëzit e këtij vendi dëshirojnë shtyrjen. Unë nuk e dua shtyrjen. Do të vazhdoj kështu, por tani kam frikë se duhet të shohim çfarë do të vendosin për ne miqtë tanë në BE”, deklaroi në parlament Kryeministri Johnson.

Ai u detyrua nga ligji që t’i kërkonte BE-së një tjetër shtyrje, megjithëse nuk e dëshironte një të tillë pas dështimit të miratimit në parlament të marrëveshjes së tij për Brexit-in.

Udhëheqësi britanik u përpoq ta kalonte legjislacionin me shpejtësi në parlament vetëm pak ditë përpara afatit. Megjithëse ranë në dakort në parim për marrëveshjen, deputetët votuan të martën kundër afateve të tij.

“Boris Johnson po u kërkonte deputetëve të merrnin për tre ditë vendimin që do të ndikojë në të paktën një gjeneratë”, thotë analistja politike Joelle Grogan, e Universitetit Middlesex.

Pra, Britania mbetet në pritje të vendimit të BE-së. Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk rekomandoi që vendet anëtare të miratojnë një zgjatje tre-mujore, por kjo mund të shkurtohet nëse marrëveshja për Brexit-in miratohet në Londër.

Nëse kjo do të jetë oferta e BE-së, Boris Johnson ka lënë të kuptohet se do të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

“Por, ai nuk duket se disponon fuqinë e duhur për ta realizuar. Mund të shohim një dorëheqje, ose një tjetër mocion për zgjedhje të parakohshme që do t’i bëjë thirrje Dhomës së Ulët të Parlamentit të mundësojë zgjedhje të parakohshme. Deri tani, Britania ende synon të dalë pa marrëveshje më 31 tetor 2019”, thotë zonja Grogan.

BE-ja nuk dëshiron të fajësohet për një dalje të Britanisë pa marrëveshje.

“Mendoj që BE-ja duhet të fokusohet tek një marrëdhënie partneriteti maksimal me Mbretërinë e Bashkuar. Tani këto diskutime nuk do jenë të lehta, por më duket se në botëkuptimin e BE-së, Britania tashmë është e larguar”, thotë Agata Gostynska-Jakubowska, e Qendrës për Reformimin Evropian.

Marrëveshja e Tërheqjes ishte konceptuar si pjesa më e lehtë. Negocimi i marrëdhënies së ardhshme, ndoshta të një marrëveshjeje për tregtinë e lirë, do të jetë shumë e vështirë.

“Do të përballemi edhe me ratifikimin në parlamentet vendore. Dhe këtë nuk mundemi ta parashikojmë si do të përdoret në politikat e brendshme, pasi ka dukshëm dinamika të ndryshme në 27 vendet anëtare”, thotë zonja Gostynska-Jakubowska.

Deputetët e opozitës paralajmërojnë se edhe nëse miratohet marrëveshja, Britania mund të përballet me një tjetër rrezik në fund të vitit të ardhshëm, nëse do të përfundojë periudha tranzitore pa arritur ende një marrëveshje për tregtinë e lirë.

Në Britani dhe në Bruksel ka filluar tashmë lodhja me Brexit-in. Dhe ky është vetëm fillimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG