Lidhje

Identifikimi biometrik, një mënyrë për të siguruar shërbime


Disa njerëz në vende të ndryshme të botës në vend që të tregojnë dokumentin e identifikimit për të marrë ilaçe ose ushqime, po përdorin beben e syrit ose gjurmën e gishtit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell bisedoi me përfaqësuesit e një kompanie në Silicon Valley, që prodhon mjete të reja teknologjike për identifikim.

Senegali po punon për të ndryshuar sistemin e vet shëndetësor, me synimin që çdo qytetar të ketë kujdes shëndetësor për vetëm gjashtë dollarë në muaj, por më parë qytetarët duhet të provojnë identitetin e tyre dhe kjo ka paraqitur një problem të madh.

“Nuk kanë dokumenta, certificatë lindjeje, shumë prej tyre nuk kanë lindur në spital”, thotë Yash Shah, Zëvendëspresident i Produkteve dhe Programeve në kompaninë Credence ID

“Dy miliardë njerëz nuk kanë dokumenta për t’u identifikuar”, thotë Bruce Hanson, President dhe themelues i Credence ID.

Për këtë arsye, një numër në rritje vendesh po punojnë me kompani teknologjike si Credence ID e Kalifornisë që fitoi kontratën për të ndihmuar agjencinë e kujdesit shëndetësor të Senegalit për të krijuar një metodë të re identifikimi: atë biometrike.

Përdorimi i tipareve të veçanta të çdo njeriu, si shenja e gishtit ose bebja e syrit për konfirmimin e identitetit, mund të duket si fanta-shkencë, por po bëhet diçka gjithnjë e më e zakonshme.

“Njerëzit më të shfrytëzuar në botë janë ata që nuk dokumente identifikimi. Për shembull dikush mund të shkojë në një qendër të marrë qumësht për fëmijë dhe pastaj të shkojë në një qendër tjetër të marrë prapë. Organizatat joqeveritare që japin ndihma pa dashje kanë krijuar një treg të zi”, thotë zoti Hanson.

Identifikimi biometrik është i debatueshëm pasi shkakton shqetësime etike se mund të përdoret nga qeveritë për të monitoruar veprimet e përditshme. Megjithatë kjo metodë po përhapet në gjithë botën.

“Ka tre metoda bazë: shenjat e gishtave, fytyra dhe bebja e syrit”.

Skanimi i bebes së syrit funksionin sepse ngjyra e saj pothuajse nuk ndryshon gjatë gjithë jetës.

“Krijohet një pamje e syrit që duket si fotografi bardhë e zi. Imazhi analizohet dhe kthehet në një dokument dixhital”, thotë zoti Hanson.

Credence ID punon në mbi 30 vende. Në Indonezi, pajisjet e tyre të identifikimit biometrik përdoren për të dhënë kredi. Në Argjentinë, produktet e kësaj firme, u përdorën së fundmi për të identifkuar të plagosurit pas një përplasje autobuzi. Në Nigeri, po përdoren për të identifikuar studentët para provimeve.

Kështu ndërsa aspekti etik vazhdon të debatohet, në një pjesë të madhe të botës, kjo mënyrë po përdoret për të zgjidhur probleme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG