Lidhje

Dekriminalizimi, KQZ shkarkon kryebashkiakun e Vorës


Në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot shkarkimin nga detyra të kryebashiakut të Vorës Agim Kajmaku, pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që ishte arrestuar në Greqi dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në shtetin fqinj. Për kryetarin demokrat Lulzim Basha, ky rast është dëshmi tjetër e skemës së kryeministrit për të qeverisur me krimin. Ndërsa vetë zoti Rama deklaroi se vendimi i sotëm ishte prova se Partia socialiste nuk bëhet strehë e askujt që ka shkelur ligjin.

Dekriminalizimi, KQZ shkarkon kryebashkiakun e Vorës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e rastit të kryebashkiakut socialist të Vorës nuk zgjati shumë. Ndërsa pasi dëgjuan relacionin e administratës për raportin e Prokurorisë, si dhe avokatin e zotit Kajmaku, anëtarëve të tij ju deshën vetëm pak minuta për të dalë më nje vendim i cili u mor në unanimitet nga të 5 anëtarët e KQZ-së dhe hyn fuqi menjëherë me botimin e tij në Fletoren Zyrtare, ndërsa vetë zoti Kajmaku ka mundësinë dhe të një ankimimi.

Rasti i kryebashkiakut socialist u bë publik nga opozita. Ishte ajo që e akuzoi atë se kishte qenë i ndaluar në Greqi, në Janar të vitit 2003 nën emrin Jorgo Toto, dhe më pas solli dhe një sërë dokumentash në mbështetje të denoncimit të saj.

Kryebashkiaku socialist i Vorës, në mënyrë të përsëritur mohoi akuzat e Partisë Demokratike. I tradhëtuar nga shenjat e gishtave të ardhura nga Greqia, të cilat provuan se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto i arrestuar në Greqi ishin i njejti person, ai paraqiti më pas vendimin e Gjykatës së Janinës e cila kishte shpallur të pafajshëm Jorgo Toton (alias Agim Kajmaku) për akuzën e falsifikimit të parave.

Por dhe kjo lëvizje e fundit, nuk mundi ta shpëtonte atë. Kryebashiaku i Vorës, u penalizua nga fakti se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që kishte qenë i arrestuar dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në Greqi, gjë të cilën e kishte mohuar me këmbëngulje.Për kryetarin demokrat Lulzim Basha: "Agim Kajmaku është fytyra e Edi Ramës, është pasqyra e radhës se me kë qeveris ai. Eshtë një poshtërim për PS në radhë të parë, nga e cila nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar, të pa inkriminuar, të pa zhytur të pa korruptuar, por nxjerr llumin e llumit. Por është një poshtërim dhe për të gjithë shqiptarët që shkëlqejnë kudo në botë, por në vendin e tyre, qeverisen nga kriminelë, trafikantë, nga hajdutë, nga të korruptuar që e kanë vendin në burg, dhe jo në qeverisje". Sipas tij, nuk bëhet fjalë për rastësi por për një skemë të zotit Rama për të qeverisur, sic tha ai, me krimin.

I pyetur nga gazetarët për vendimin e marrë sot ndaj kryebashkiakut të zgjedhur prej tij, Kryetari socialist dhe kryeministri Edi Rama, u mjaftua vetëm me pak fjalë: "Institucionet janë institucione". Ndërsa më pas përmes një postimi në Twitter deklaroi se KQZ ka provuar përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje” dhe se “po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”.

Zoti Kajmaku është rasti i dytë, pas atij të Shkodrës, i një kryebashkiaku socialist me probleme me të kaluarën e tij, por që për socialistët është vetëm një përgjegjësi individuale e tyre, dhe jo e forcës politike që i përzgjodhi me dorën e vet.

Vendimi i sotëm rihap sërish debatin dhe me Presidentin Ilir Meta, nëse ai do të shpallë ose jo zgjedhje të parakohshme në Vorë, apo do të përsëritet situata e Shkodrës dhe ai do të vijojë t’i qëndrojë pozicionit të tij, të zgjedhjeve vendore që duhet të ishin mbajtur më 13 tetor, sipas një dekreti të firmosur prej tij, por që asnjë institucion nuk e mori në konsideratë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG