Lidhje

Tiranë: Të paktën 28 fëmijë shqiptarë gjenden në kampet kurde


Qeveria shqiptare po bën përpjekje për të kthyer në Shqipëri gratë dhe fëmijët, që gjenden në kampin e Al-Hol, të cilët janë në proces identifikimi.

Kështu deklaroi sot ministrja e shtetit Elisa Spiropali gjatë një interpelance në parlament për këtë temë, e cila bëri të ditur identifikimin e plotë deri tani e të paktën 28 fëmijëve shqiptarë.

“Shqipëria ka vendosur kontakte gjatë muajve qershor dhe korrik. Në fund të muajit gusht u diskutua një operacion i mundshëm riatdhesimi. Por situata në terren ndryshoi. Operacioni ngriu. SHBA u tërhoqën dhe në terren ka një situatë të re gjeopolitike” - tha zonja Spiropali.

Fati i grave dhe fëmijëve shqiptarë të mbetur në Siri
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00

Sipas saj, afro 500 persona nga Ballkani janë ende aty, 150 janë shqiptarë, 72 janë nga Shqipëria, 11-13 burra të klasifikuar si terroristë në burgjet e kontrolluara nga forcat kurde.

“Nga 1 mijë individë nga Ballkani perëndimor në atë zonë, rreth 400 prej tyre janë kthyer nëpër vendet e tyre, duke e bërë këtë rajonin me përqëndrimin më të madh të luftëtarëve të huaj në Europë” - tha zonja Spiropali.

Interpelanca e ministres Spiropali u kërkua nga një grup deputetësh, që kërkuan të dhëna për operacionet mbi shpëtimin e 11-vjeçarit Alvin Berisha, për të cilin u interesuan gazetarët italianë, ngaqë babai i tij jeton në Itali.

“Babai i Alvinit ka marrë një letër nga ai në qershor. Prania e tij në kamp u njoftua nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar pranë ambasadës shqiptare në Kajro në fillim të muajit shtator. Jemi përpjekur ta ndihmojmë familjen Berisha. Ambasada jonë u njoftua më 22 shtator se grupi i gazetarëve italianë do të udhëtonin drejt kampit, gjë që u krye më 28 shtator. Nga pikëpamja zyrtare, kjo është një punë e vështirë” - tha zonja Spiropali.

Ajo shtoi se situata në Siri vazhdon të mbetet e komplikuar si zonë konflikti me informacion të kufizuar.

Shumë prej shqiptarëve udhëtuan pa dokumenta dhe kaluan kufijtë në mënyrë të paligjshme, ndaj sipas saj, identifikimi i plotë dhe përfundimi i operacionit është një punë e vështirë prej mungesës së institucioneve homologe, sepse janë zhdukur dokumentat shqiptarë dhe janë pajisur me dokumenta të Kalifatit, të cilat edhe këto janë grisur tanimë për të mos u identifikuar ISIS.

“Shteti shqiptar po bën gjithçka është e mundur për të kthyer gratë dhe fëmijët nga ato kampe. Këto territore kontrollohen nga struktura paramilitare dhe nuk u binden rregullave ndërkombëtare për lirimin e personave apo shkëmbimin e robërve. Në situatën e rindezuar, hapat operacionalë nuk mund të bëhen kurrsesi publike, sepse do të rrezikohej jeta e atyre personave, duke zbuluar identitetin e tyre” - tha zonja Spiropali.

Bëhet e ditur se midis tyre ka edhe fëmijë shqiptarë të lindur në zonën e konfliktit, por numri i tyre nuk mund të konfirmohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG