Lidhje

Rusia dhe përpjekjet për rehabilitimin e figurës së Stalinit


Historiani rus Anatoly Razumov ka punuar për më shumë se tre dekada për të identifikuar njerëzit që vdiqën në spastrimet e Josip Stalinit. "Ne nuk jemi njerëz, nëse nuk kemi kujtesë," thotë ai.

Ndërsa ai punon në zyrën e tij të mbushur me rafte librash dhe letra të shpërndara gjithandej, ai e siguron Zërin e Amerikës se "kjo dhomë është e mirëorganizuar, unë mund të gjej gjithçka që më duhet shumë shpejt."

Zyra e zoti Razumov, e cila mund të zbulohet në fund të një serie korridoresh të ngushta dhe shkallëve që gjarpërojnë në Bibliotekën Kombëtare të Rusisë në Shën Petersburg, është vija e parë e frontit në një betejë që po zhvillohet mbi historinë dhe të dhënat e së kaluarës komuniste.

Zhdukja e Gjurmëve të Krimeve të Stalinit

Figura e diktatorit sovjetik Joseph Stalin është rehabilituar ngadalë që kur erdhi në pushtet Vladimir Putini, një rehabilitim që po rritet me ngritjen e memorialeve për Stalinin dhe zyrtarët nuk kanë më turp të varin portrete të diktatorit sovjetik.

Pas zotit Razumov ndodhen vëllime voluminoze të kuqe të një përpjekjeje kolektive për kërkime që ai i ka kryesuar për të përmendur emrat e atyre që u masakruan në Terrorin e Madh të Stalinit. Viktimat u vranë me një plumb pas koke, ose vdiqën ndërsa torturoheshin ose nga kequshqyerja dhe i ftohti në kampet e punës, ku të ashtuquajturit "armiq të shtetit" dërgoheshin për të "ndërtuar socializmin".

Librat me lista emrash, të cilët shtohen çdo ditë, përmbajnë edhe emrat e atyre që vdiqën gjatë rrethimit nazist të Leningradit, qyteti që pas rënies së Bashkimit Sovjetik u riemërua Shën Petersburg. Ndërsa ai kontrollon librat, ai thotë "këtu është një listë rrethimi." "Ne kemi më shumë se 900,000 emra njerëzish që përjetuan rrethimin," shton njeriu që është bërë bibliotekar i terrorit.

Hulumtimi vazhdon në detaje për numrin e vdekjeve nga spastrimet komuniste dhe rrethimi i Leningradit. Lista me emra të burrave, grave, fëmijëve. Secili emër është një histori e përgjakshme e një jete të shuar brutalisht, e një premtimi dhe shprese të mohuar, e fëmijëve të mbetur jetimë, të bashkëshortëve të copëtuar dhunshëm, të prindërve të mbetur pa djem dhe vajza.

Guximi për të kujtuar të kaluarën

"Unë po e bëj këtë punë çdo ditë. Prandaj kam mjaft punë për të bërë, " thotë historiani me flokë thinjur. “Ne duhet të kujtojmë. Ne po punojmë për njerëzit që duan të dinë dhe për njerëzit që një ditë do të duan të dinë se çfarë ka ndodhur," thotë ai. Kremlini nuk do t’ia dijë. Tani vetë akti i kujtesës shihet me inat nga autoritetet nën Presidentin Putin, që i shohin përpjekjet për të përkujtuar veprimet e komunistëve si jo patriotike dhe në dobi të vetëm armiqve perëndimorë.

Një përballje kryesore në betejën për historinë është përqendruar në varrezën masive në Sandarmokh, pranë kufirit me Finlandën, ku zoti Razumov dhe historianë të tjerë të Gulagut thonë se më shumë se 6, 241 viktima të Terrorit të Madh të Stalinit u pushkatuan dhe u varrosën gjatë

viteve 1937-38. Ata i mbështesin pretendimet e tyre në punën në terren dhe dokumentet nga arkivat sekrete të policisë, përfshirë dëshmitë e marra nga ekzekutuesit, të cilët më vonë u vetëvranë.

Fajësimi i finlandezëve

Në gusht, pati një gërmim të shkurtër në këtë zonë, të sponsorizuar nga shteti nga një organizatë e sponsorizuar nga Kremlini, e quajtur Shoqata Ushtarake-Historike e Rusisë, RVIO, me qëllim që të provonte se jo të gjithë njerëzit e varrosur në Sandarmokh ishin viktima të Stalinit. Sipas tyre, disa nga viktimat mund të kishin qenë ushtarë sovjetikë, të cilët ose u qëlluan nga finlandezët ndërsa territori ishte nën kontrollin e tyre në vitet 1942-44 ose që vdiqën ndërsa po mbaheshin rob nga finlandezët.

Ekipi i gërmimit tha se ata nuk kishin ardhur të rishkruanin historinë, por thjesht po provonin një hipotezë se, pasi finlandezët mbanin robër sovjetikë aty afër, ishte plotësisht e mundshme që ata kishin përdorur të njëjtën zonë ku kishin ndodhur vrasjet. Por në një konferencë shtypi në

Sandarmokh, Sergei Barinov, kreu i ekipit të gërmimeve, mbajti letrën zyrtare të ftesës për gërmimet nga ministria e kulturës.

Gjatë konferencës për shtyp, një vëzhgues nga Memorial, një organizatë e të drejtave të njeriut e përkushtuar ndaj punës për të dokumentuar spastrimet e epokës sovjetike, ia mori letrën nga dora Barinovit. Dhe në letër, ministria e kulturës theksonte se si Sandarmokhu "dëmton imazhin ndërkombëtar të Rusisë".

Teoria që të burgosurit e luftës sovjetike mund të ishin varrosur në Sandarmokh u përhap së pari nga Sergey Verigin, drejtor i Institutit të Historisë në Universitetin Shtetëror të Petrozavodskut. Ai thotë se nuk po përpiqet të mohojë faktin që viktimat e Stalinit janë varrosur në këtë vend, por ai thotë se hipoteza e tij është e arsyeshme, pavarësisht faktit se i mungon ndonjë provë dokumentare.

"Unë nuk do të rishkruaj historinë e Sandarmokh, siç më akuzojnë disa media liberale-demokratike ruse," i tha ai Zërit të Amerikës. "Teoria

ime është që të burgosurit e luftës sovjetike kundër pushtimit finlandez gjithashtu mund të ishin varrosur aty, megjithëse ka dyshime edhe për numrat në përgjithësi të njerëzve të varrosur atje," shton ai.

Në gusht, Arkivi Kombëtar i Finlandës lëshoi një deklaratë të ashpër duke hedhur poshtë hipotezën e RVIO-s. "Finlanda ka hapur materialet e saj në lidhje me robtë (sovjetikë) e luftës. Këto burime arkivore tregojnë se robërit sovjetikë të luftës nuk janë varrosur në Sandarmokh," thuhet në deklaratën e arkivit finandez.

Në zyrën e tij universitare, pa libra ose letra, zoti Verigin thotë se pjesa më e madhe e betejës për historinë u jepet historianëve të Gulagut që duan të përdorin kritikën e epokës së Stalinit kundër Putinit. "Ata po transferojnë kritikën e tyre te Rusia moderne, te Putini," thotë ai.

Razumov dhe historianë të tjerë të Gulag-ut thonë se RVIO është duke u përpjekur të hedhë në erë historinë e Sandarmokhut, duke u përpjekur t’ua hedhë pjesërisht fajin për varrezën finlandezëve, të cilët drejtuan një kamp të robërve të luftës aty afër.

Beteja për të vërtetën

Përplasjet mbi historinë ka të ngjarë të intensifikohen. Razumov thotë se hulumtimet mbi Terrorin e Madh kanë qenë gjithmonë të vështira, madje edhe gjatë viteve të shkrirjes së Mikhail Gorbachev-it dhe Boris Jelcinit, paraardhësi i Putinit. Ai e identifikon 1997-ën si shënimin e fillimit të fundit të shkrirjes kur bëhet fjalë për historinë e Terrorit të Madh. Në një dekret presidencial, Yelcini e shpalli 1997-ën si Vitin e Pajtimit. "Pas vitit 1997 qëllimi ishte që kjo temë të lihej në heshtje. Sa i përket autoriteteve, shqetësimi për këtë çështje kishte përfunduar," thotë Razumov.

Për ironi, viti 1997 ishte viti që miku dhe kolegu i tij i mirë historiani i epokës Stalin, Yury Dmitriyev zbuloi përmes hulumtimeve dhe gërmimeve arkivore varret masive në Sandarmokh dhe një tjetër në Krasny Bor, në periferi të kryeqytetit Karelian të Petrozavodskut. Dmitriyev tani është në vitin e tij të tretë në burg në pritje të gjykimit për atë që familja e tij, miqtë dhe kolegët e tij thonë se janë akuza të sajuara për sulme seksuale ndaj një të mituri.

"Ishte me fat që këto varreza u gjetën në vitin 1997. Kjo nuk mund të bëhej tani," thotë Razumov. Qasja në arkivat e departamenteve dhe të shtetit është bërë shumë më e vështirë, dhe shpesh e pamundur. Ai thotë se që nga Revolucioni i vitit 1917 ka pasur konstante në të menduarit e autoriteteve të Kremlinit, të cilët kanë "frikë nga njerëzit, frikë nga e vërteta dhe frikë nga diskutimi i lirë".

“Cilin himn e përdorim tani? Ne përdorim himnin e Bashkimit Sovjetik, jo të Rusisë. Në Sheshin e Kuq në Kremlin, njerëzit që ishin përgjegjës për të gjitha këto mizori, nga Terrori i Leninit deri tek Terrori i Madh më i madh i Stalinit, po nderohen dhe përshëndeten," thotë ai. Historia nuk duhet të shkruhet përsëri thjeshtë sepse është e përshtatshme politikisht pasi "mizoritë vijnë nga justifikimet", tha zoti Razumov.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG